Ish-gazetari i RTP-së, RTSH dhe RTK-së, ish-reporteri i luftës, Nuhi Bytyqi, vjen në një rrëfim emocionues rreth punës, familjes, sfidave të raportimit në atë kohë për dokumentarin ‘Expose’.
Bytyqi na thotë se puna dhe krejt jeta e tij ka qenë gazetaria dhe atë në rrethana tepër të vështira të kohës.
Ai na tregon se ka qenë tepër sfiduese të bësh gazetari në atë kohë e sidomos pas demonstratave të vitit 1981.
“Puna dhe jeta ime ka qenë gazetaria dhe atë në rrethana shumë të vështira në sistemin monist kur ka dominuar një censurë e rreptë në të gjitha mediat në Kosovë. Por jam përpjekur që përherë të jem në shërbim të publikut dhe asesi mos të jem në shërbim të politikës apo të klaneve të ndryshme të interesit apo të biznesit sepse nëse je në shërbim të klaneve dhe të politikës nuk mund të jesh në shërbim të publikut. Sfida ka patur mjaft sidomos në vitet 80-ta pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë kur gazetari atëherë është vlerësuar edhe si figurë politike e shoqërore, megjithatë në Radio Televizionin e Prishtinës një ekip i gazetarëve dhe redaktorëve është munduar që t’a kryej me sukses misionin e tyre dhe të jetë jo në shërbim të politikës por në shërbim të publikut .
E mbaj mend censurën e rreptë në Televizionin e Prishtinës sidomos pas demonstratave të vitit 81 kur shumica e lajmeve për këto demonstrata jepeshin nga Agjensia e lajmeve ‘Beogradi Tanjug’. Ishte vërtet e tmerrshme që për ngjarjet që ndodhnin në Prishtinë mediat tona të mbështeteshin në informatat e dirigjuara nga Beogradi. Megjithatë gazetarët shqiptarë e kanë dhënë provimin, s’po them që s’ka patur edhe në atë kohë të meta por duhet kuptuar varësisht nga rrethanat që kanë qenë në atë kohë kur në Televizionin e Prishtinës kanë qenë njësitë speciale të Ushtrisë dhe të Policisë serbe. Ishte një presion i tmerrshëm ndaj gazetarëve, redaktorëve, dhe udhëheqësve të televizionit dhe të gazetës ‘Rilindja’. Por jemi përpjekur gjithmonë që në opinion mos të humbet shpresa por të ekzistojë besimi se do të vijnë ditë mira për popullin shqiptar” deklaroi Bytyqi për dokumenatrin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.