• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Perla që shkëlqen në Jug: Sekretet e suksesit të Regina Group – rrëfimi i Vasil Bedinaj, nga ëndrra në realitet!

06/08/2025 12:27
nga:G B

Kaltërsia e detit është e pafundme. Një peizazh magjepsës që nuk ngopesh së shikuari. Plazhe të mahnitshme me hotele luksoze përreth tërheqin miliona turistë çdo vit, ku tjetër pos në Shqipëri. Mikpritja është primare, të pasuara nga shërbimi, rehatia e ushqimi. Padyshim që qëllimi është që çdo turist të largohet i kënaqur nga Shqipëria, me dëshirën për t’u kthyer sërish.

Vlora është ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë, prej ku nis perla e jugut, për të vazhduar deri në Sarandë e Ksamil.

Deti i pafundmë që bashkohet diku me qiellin e kaltër, është panorama më e bukur që do shihni.

E përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Orikum, janë superhotelet e Regina Group, ku do të gjeni shërbimet më të vlefshme.

Gjithçka nisi 20 vite më parë, kur Vasil Bedinaj, një vlonjat që kishte jetuar në emigrim, vendosi të kthehej në vendlindje e të investonte në turizëm.

Biznesmeni Vasil Bedinaj në një rrëfim për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, tregon gjithë rrugëtimin në këtë fushë, teksa thotë se turizmi në Shqipëri ka ecur më mirë seç është menduar dhe më mirë se në vendet tjera.

Ai tregon se gjatë kohës në emigrim kishte menduar vazhdimisht të bënte diçka për Vlorën si një vend bregdetar.

Tani me një sukses të jashtëzakonshëm, fillimi kishte qenë i vështirë dhe më sfida, derisa në fillim kishte nisur me hapjen e një hoteli me përmasa më të vogla se ato që janë sot.

Sakrificat për të e familjen thotë se nuk kanë munguar, por është i parimit se nëse i përkushtohesh një pune, do të arrish diçka.

Hotel Regina që sot është Regina Blue ishte hoteli i parë që ai kishte hapur, natyrisht i përmasave më të vogla, një hotel modest 3 yjesh me vetëm 5 dhoma, për t’u bërë më pas një nga hotelet më të bukura të Vlorës.

Në Vlorë do të gjeni hotelet Regina Garden dhe Regina City, në Radhimë Regina Blue dhe në Orikum Regina Palma.

Gjersa vitet kaluan, biznesi familjar i familjes Bedinaj u zgjerua dhe me tre hotele të tjera, kompaninë e taksive e të anijeve.

Grupi Regina tani ka në dispozicion 210 dhoma hoteli, tre salla konferencash/mbledhjesh, restorante, bar lounge dhe plazhe private, duke e shndërruar “Grupin Regina” në një markë autentike të qytetit të Vlorës.

Qëllimi i këtij biznesi në të cilin është angazhuar gjithë familja e tij thotë se ishte që nga fillimi mikpritja, duke e ruajtur traditën shqiptare.

“Hotelet Regina kanë filluar prej vitit 2004, pas 15 vitesh emigrim, gjatë gjithë qëndrimit që punoja në shërbim dhe mendoja se edhe Vlora është vend bregdetar dhe të kthehem në Vlorë e të investoj në turizëm. Në 2005 u hap Regina Blue. Me shumë punë, sakrificë në këto 20 vite me familje jemi përkushtuar dhe jemi këtu ku jemi, sepse unë e quaj biznes familjar. Si të zhvillohemi duke pasur shërbim cilësor, mikpritje, duke ruajtur traditën shqiptare. Sfida e sakrifica ka pasur por jam i parimit që nëse ngrihesh në mëngjes dhe vendos të bësh diçka e t’i përkushtohesh asaj gjëje, patjetër që do të dalë diçka në fund të ditës”, thotë ai.

Bedinaj tregon se ka pasur sfida të shumta në fillim, por që gjërat po përmirësohen nga viti në vit.

“Sfidat kur vija në Prishtinë më duheshin 8 orë nga Vlora për t’i kaluar malet e Kukësit, rrugë pafund, punonim pa energji elektrike nga 8 orë, infrastruktura rrugore, infrastruktura e eksperiencës, pasi s’kemi turizëm të lindur herët por pas viteve 2000, kemi pasur vetëm disa bare në funksion tonin dhe jo për turizëm. Jemi shumë mirë ku kemi qenë dhe ku jemi, këtu ka ndodhur një ndryshim që nuk ka ndodhur në asnjë vend të Evropës, në Evropë janë aty ku kanë qenë para sa vitesh, njësoj, ndërsa në Kosovë e Shqipëri gjërat po përmirësohen nga viti në vit, ne presim me miliona turist në vit”, rrëfen ai.

Sipas pronarit të Regina Group, në Shqipëri është bërë mjaftueshëm sa i përket turizmit, madje më shumë se dikush mund të mendojë, sidomos krahasuar me vende si Greqia apo Bullgaria, që thotë se qëndrojnë njësoj prej 30 vitesh.

“Mendoj se është bërë mjaftueshëm, jam i parimit që shkallët duhet të ngiten një nga një sepse mund të ndërtosh një qytet por kur s’ke eksperiencën s’mund ta mbash atë. Mendoj se kemi ecur shumë mirë, duke i mbajtur të gjitha gjërat paralel me njëra-tjetrën, paralel me turizmin kemi zhvilluar edhe dy-tre gjëra tjera. Mendoj se industria e turizmit në vendin tonë është zhvilluar mjaftueshëm dhe mirë, shumë më mirë se sa mund ta mendojë dikush që nuk jeton këtu por ne jemi gjithmonë kërkues dhe duam që gjërat të bëhen sa më shpejt dhe sa më mirë dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Ne kemi ecur më mirë se vendet tjera, shkojmë në Itali është e njëjta si para 20 vitesh, shkojmë në Greqi, të njëjtat plazhe shëtitore që prej 30 vitesh s’ka ndryshuar asgjë, kurse Shqipëria nga viti në vit po ndryshon në mënyrë të shpejtë”, ka theksuar Bedinaj.

Hotelet Regina ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për një pushim të paharrueshëm. Por, nga rrjedh emri Regina? Vasil Bedinaj na tregon origjinën e emrit, që lidhet me prejardhjen e tij.

“Kjo është pyetje që ma bëjnë shpesh, pse Regina, ne gjithmonë duhet ta ruajmë origjinalitetin dhe prejardhjen tonë. Familja ime e ka origjinën nga një zonë në jug të Shqipërisë, që quhet Regina dhe kur isha në emigrim në biznesin e parë kisha dhe prindërit e mi, e kisha lexuar diku si emër por nuk e dija se prejardhja ime ishte nga atje, se jemi nga Regina e Tepelenës dhe ashtu u lidh emri me biznesin.

Regina Blue e para, unë jam fokusuar në punë në këtë biznes me tërë familjen dhe gjërat pastaj kanë rrjedhur vet, siç thonë gur-gur bëhet kalaja”, është shprehur ai.

Bedinaj udhëheq biznesin me 270 punëtor, por thotë se dhe vet është një punëtor që shkon në mëngjes në punë, teksa do që punëtorët ta shohin si bashkëpunëtor.

Ai po ashtu ka folur dhe për planet e tij për t’u zgjeruar ende me hotele të reja.

“Ne punojmë çdo ditë, po planet tona janë që do të zgjerohemi në 2-3 vitet e ardhshme

Një nga bizneset më të mëdha në jugun e Shqipërisë, jam thjesht një punëtor që ngrihem në mëngjes dhe shkoj në punë, pa bërë dallimin mes meje dhe menaxherëve të strukturave dhe punonjësve të tjerë, 270 punëtorë, dua që të gjithë të më shohin si bashkëpunëtor”, është shprehur pronari i Regina Group.

/Gazeta Blic/