• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Peci: Kosova për herë të parë pas vendimit për dinarin ka marrë ‘flakaresha’ në Këshillin e Sigurimit, nga partnerët e saj

03/01/2024 21:37
nga:Sh R

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci është i ftuar i kësaj jave në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin.

Peci thotë se Kosova për herë të parë pas vendimit për dinarin ka marrë flakaresha në Këshillin e Sigurimit nga partnerët e saj.

“Takimin në Bruksel e kam parë si takim të panevojshëm, së paku prej asaj se çka ka deklaruar drejtori i BQK. Ai tha që aty kanë shku për ta shpjeguar vendimin e bankës, ndërsa ky vendim është shpjeguar në Prishtinë, bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk ka has në asnjë mirëkuptim. Përkundrazi Kosova për herë të parë pas këtij vendimi ka marr flakaresha edhe në Këshillin e Sigurimit nga aleatët e saj apo partnerët e saj tradicional dhe me këtë vendim mund të themi që Kosova në aspektin e politikës së jashtme ka pësuar një lloj fiasko në nivel edhe global edhe më të gjerë”, tha Peci.

Tutje ai thotë se problemi kyç nuk qëndron tek valuta por tek tatimet e personave të cilët punojnë në territorin e Kosovës dhe nuk paguajnë asnjë tatim.

“Problemi kyç përpos që duhet të kthehet në Kosovë që të operohet me euro në gjithë territorin e saj, për sa i përket pagesave, problemi kyç nuk qëndron tek valuta por qëndron tek tatimet e personave të cilët punojnë në territorin e Kosovës dhe nuk paguajnë asnjë tatim. Ne nuk duhet ta harrojmë që marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe parasheh që krejt transaksionet financiare nga Serbia të bëhen përmes Bankës Qendrore të Kosovës, mirëpo përpos kësaj duhet të rregullohen edhe çështja e tatimimit sepse personat të cilët punojnë në Kosovë dhe nuk paguajnë tatime këtu ata mund të jenë cak i Administratës Tatimore për evazion fiskal apo për ikje nga tatimi, e këtu ka edhe shumë gjera të tjera që duhet të rregullohen”, shtoi ai.

Gjithashtu ai thotë se me marrjen e këtij vendimi, Kosova ka bërë një veprim të ngutshëm pasi që shkakton probleme të mëdha me marrëdhëniet me perëndimin.

“Me marrjen e këtij vendimi kemi bërë një veprim të gutshëm sepse nuk është pa në pako e gjithë kjo problematike edhe është bërë një hap popullist i cili na shkakton probleme shumë të mëdha në marrëdhëniet tona të acaruara me perëndimin”, u shpreh ai.

“Unë mendoj që kjo punë nuk ka ku të shkojë, do të detyrohet pjesa e politikës të shkojë në Bruksel dhe ta diskutoj këtë cështje. Kjo duhet të përfundoj me një marrëveshje e cila me siguri ka me qenë pjesë e operimit te tansishëm edhe të funksionalizimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, mirëpo këtu politika nuk mundet ti ikë përgjejgësisë”, tha Peci.

Peci thotë se partnerët tanë janë të befasuar pasi që ky vendim është marrë pa u konsultuar me ta, ku ky është një vendim që e prek sigurinë në Kosovë.

“Aktet e tilla të cilat kanë potencial të rrezikimit të sigurisë në Kosovë nuk mund të merrën në këtë formë nga Qeveria e Kosovës, sepse këtu e kemi hisedar bashkësinë ndërkombëtare. Kosova nuk është plotësisht sovrane meqenëse e kemi KFOR-in këtu edhe ai ka përgjejgësi, dhe për këtë arsye këtu qëndron pezmi i krejt bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai shkruan Gazeta Blic.