Lajme

“PDK s’merr pjesë në votim”/ Lushtaku: ‘Nxjerrjen’ në skenë të Kodit Civil, Kurti po e bën vetëm që ta tërheq vëmendjen nga Asociacioni

05/05/2024 21:51
nga:G B

Partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës thotë se ‘nxjerrjen’ në skenë të Kodit Civil, Kurti po e bën me qëllimin e vetëm që ta tërheq vëmendjen nga Asociacioni.

Mërgim Lushtaku, deputet nga PDK ka theksuar për “Expose” Kurti po synon dekoncentrimin e qytetarëve nga pajtueshmëria që ka bërë për Asociacionin.

“Realisht po tregon që ka një kundërshtim brenda përbrenda partisë, ka një grupacion brenda partisë, edhe pse e kam parë më herët që në VV nuk pajtohen në shumicën e rasteve por ka qenë Kodi Civil pika kyçe që ka nxjerrë mosmarrëveshjet e brendshme e brendshme që i kanë me përfaqësimin çfarë ua bëjnë qytetarëve në Kuvend dhe pjesën ekzekutive. Në këtë aspekt unë po e shoh më shumë si nëj lloj dekoncentrimi i Albin Kurtit për t’i larguar nga pajtueshmëria e përgjithshme që ka bërë me Asociacionin që dikur i thoshte Zajednicë dhe në këtë aspekt po mundohet ta humbë vëmendjen dhe të kthehet kah pjesa e Kodit Civil. Por besoj që derisa ai e di që nuk ka rezultat në votimin e Kodit Civil atëherë jepet mundësia për të menduar se ai dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje që t’i ikë kësaj përgjegjësie që ai ka premtuar në zyrat e ndryshme të BE-së dhe të ambasadave të ndryshme”, thotë ai.

Deputeti vlerëson se s’është e arsyeshme të shkohet në zgjedhje për shkak të Kodit Civil, derisa shton se 13 nga 28 shtete të BE-së nuk e kanë këtë ligj për martesa të gjinisë së njëjtë.

“Realisht nuk është e arsyeshme, as nuk ka ndonjë element kyç politik që të thuhet se po shkojmë në zgjedhje për shkak të Kodit Civil sepse siç e dini në shumicën e vendeve të Evropës dhe atyre vendeve anëtare të BE-së ka mendime të ndryshme dhe nga 28 vende të BE-së diku rreth 13 shtete nuk e kanë ligjin për martesa të gjinisë së njëjtë”, vlerëson Lushtaku për Expose.

Ai shton se Kurti po iu bën presion deputetëve të partisë së tij, teksa përmend dhe ndryshimet e tij në qëndrime.

“Por ky dëshiron që t’i tregojë dështimet, të thotë që nuk e ka legjislaturën që e dëgjon, që realisht po iu bën presion edhe vetë deputetëve të tyre që ndoshta ka mundësi që edhe nuk i vendosë më në listë për deputetë vetëm se nuk i kanë shkuar për shtati atij. Edhe pse e dimë që Kurti ka flirtuar dhe ka marrë besimin e shumë qytetarëve të ndryshëm edhe atyre konservatorë, që kanë marrë besimin dhe janë përfaqësues në Kuvend që nuk do të pajtohen me shumë çështje të tij. Por ja që Kurti ka ndryshuar 180 shkallë edhe në shumë parime tjera, ndërsa për këtë çështje nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh”, vlerëson deputeti i PDK-së.

Ndërkohë, PDK tashmë ka vendosur nëse do të marrë pjesë në seancën kur do të sillet për votim Kodi Civil.

Është deputeti Mërgim Lushtaku, ai i cili ka konfirmuar për “Expose” se PDK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

“PDK nuk merr pjesë në votimin për Kodin Civil, kjo është në përgjegjësi të mazhorancës, realisht kjo qeveri ka pasur dhe shumë skandale dhe kjo qeveri nuk ka reflektuar me zyrtarë të lartë si Martin Berishaj e të tjerë që i kanë dhënë imazh të keq Kosovës. Andaj ne nuk marrim pjesë në votim për Kodin Civil. Ndërsa unë personalisht nuk e votoj një Kod Civil ku shihet martesa e gjinisë së njëjtë pasi jam pro familjes dhe besoj që koncepti i familjes dhe i martesës mes burrit dhe gruas është mocioni që edhe shumë familje evropiane e mbështesin”, potencon ai.

Lushtaku thekson se 90 për qind e qytetarëve janë kundër martesave të gjinisë së njëjtë dhe qytetarët në zgjedhje do të vendosin se kujt duan t’ia japin votën.

“Realisht, 90 për qind besoj se qytetarët në sondazhe kanë dalë kundër martesës së gjinisë së njëjtë dhe është në përgjegjësinë e tyre se a ia dhënë besimin një partie e cila jep orientim krejtësisht të kundër me atë çfarë besojnë dhe duan të shohin në vendin e tyre. Jemi afër zgjedhjeve dhe qytetarët do të vendosin nëse do ta votojnë atë parti që madje synon dhe ndërrimin e krejt strukturës së Kuvendit vetëm për të çuar përpara kauza të tyre”, deklaron deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku./Gazeta Blic/

 

Duda Balje: Nuk ndryshoj qëndrim për Kodin Civil, është gabim që po e ngjyrosin me LGBTQ+

 

Teologu Florim Flugaj: Ky është qëndrimi i Bashkësisë Islame për Kodin Civil

Arbër Nuhiu: Kurti e ka mbrojtur Kushtetutën kur ka paralajmëruar miratimin e Kodit Civil