Analisti politik Imer Mushkolaj në Blic Interview me Astrit Gashin ka kritikuar ashpër mënyrën si Lëvizja Vetëvendosje e ka menaxhuar pushtetin gjatë katër viteve të fundit, duke e akuzuar për krijimin e një rrethi të ngushtë të interesave të veta dhe për trajtim selektiv të partive të tjera opozitare.
“Gjatë këtyre katër viteve, VV-ja ka provuar dhe ka arritur deri në njëfarë mase t’i krijojë oligarkët e vet,” deklaroi Mushkolaj, duke aluduar në konsolidimin e një strukture të mbyllur brenda qeverisjes aktuale.
Ai shtoi se në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partia që mund të përfitojë më së shumti është PDK-ja, pikërisht për shkak të mënyrës se si është trajtuar nga Vetëvendosje në raport me bashkëqeverisjen.
“Unë mendoj se, nëse shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme – kurdo që të jenë ato – përfituesja më e madhe mund të dalë PDK-ja. Sepse konsideroj që vetë ideja që VV-ja nuk i ka bërë ftesë PDK-së për bashkëqeverisje, në njëfarë forme sikur e ka amnistuar PDK-në nga njëfarë përgjegjësie. Që si subjekt politik dhe si forcë politike që është, të jetë edhe ajo përgjegjëse për krijimin e qeverisë,” tha Mushkolaj.
Ndërkohë, ai shprehu skepticizëm edhe për qasjen e kryeministrit Kurti ndaj LDK-së, duke e parë ftesën për bashkëpunim më shumë si një lëvizje taktike për dëmtimin e saj politik, sesa një ofertë të sinqertë për koalicion.
“Në anën tjetër, ftesa që VV-ja ia ka bërë LDK-së më shumë ka qenë nga ana e Kurtit për ta dëmtuar LDK-në, sesa që përnjëmend i ka interesuar të bëjë koalicion me të,” përfundoi Mushkolaj.
Deklarata e plotë: