• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Para syve të mi u vranë fëmijë e familjarë” – rrëfimi emocionues i të mbijetuarit të Reçakut

04/03/2026 21:11
nga:Sh R

Agron Mehmeti i mbijetuari i Masakrës së Reçaku, ka rrëfyer momentet më të rënda të 15 janarit 1999, kur ndodhi Masakra e Reçakut, raporton GazetaBlic.

Mehmeti rrëfen momentet më të rënda, kur njerëzit që i njihte dhe i donte humbnin jetën në duart e tij. Ku për të ai ishte një përjetim që nuk mund të harrohet

“Diku rreth orës 10 e mëngjesit, unë isha në shtëpi, ishte agja Bajrami me vajzën e tij Hanumshahen dhe djalin Elhamiun, dhe duke u bërë bashkë në shtëpi secili që me përjetu më lehtë rrezikun ose me gjet një vend strehim diku, ka ardh plaku Hasan Bilalli dhe ka tregu që kanë fillu edhe brenda në fshat me hy forca policore ushtarake. Ne kemi dalur për të gjet një vendstrehim, te trekëndëshi i rrugëve që ndan disa lagje, kanë filluar të gjuajturat nga të gjitha llojet e armëve. Fillimisht është plagos djali i agjës, Elhamiu, 9 vjeçar në atë kohë dhe vajza e agjës e ka thirrë babën e vet ka thënë ‘o bac e vrajtën Elhamiun’ dhe ai duke ardh te djali i vet aty e kanë qëllu edhe agjën Bajramin në kokë, 54 vjecar. Pastaj Hanumshahja ka bërtitë edhe më shumë ‘ e vrajtën edhe bacin’, pastaj edhe atë e kanë qëllu në gjoks. Distanca ka qenë diku 150 – 200 metra largësi prej ku u goditshëm me armë, e gjithë kjo ndodhi para syve të mi, brenda 1-2 metra kanë qenë afër meje”, tha ai.

Tutje ai tregon se si u detyruan të fshiheshin për orë të tëra, ndërsa dëgjonin dhe shihnin lëvizjet e forcave serbe.

Ai thekson se civilët u ndanë dhe u dërguan drejt vendeve ku më pas u vranë.

“Të gjithë kemi kërcy në një prrockë, përvec agjës Bajramit që ka qenë i qëllum në kokë me plumb dhe ai ka vdekur menjëherë. E kemi tërhjekë Elhamiun ashtu të plagost, ka qenë e plagosur edhe Makfire Hajrizi dhe Hanumshahja vdic në duar e mia. Kemi vazhduar dhe jemi fut në një depo të kuzhinës dhe aty kemi qëndruar prej orës 10 deri në ora 17:00 pasdite, forcat serbe i shikonim nga një dritare e vogël duke u afruar tek ne, ka pas shumë forca, ishin me tri lloj uniforma sic i kemi parë na. Kanë hy derë me derë, shtëpi më shtëpi dhe për fat tonin, ndoshta fati në fatkeqësi, që aty nuk ua ka marrë mendja më që ka njerëz dhe zërat i dëgjojshim na duke na kërku neve dhe për fat tonin në vendin ku ishim na nuk kanë hyrë. Dhe pastaj kanë vazhdu nëpër pjesë tjerë të fshatit, i kanë nda burrat nga gratë dhe i kanë rrah deri në alivanosje burrat aty dhe i kanë drejtu në drejtim të ‘Kodrës së Bebushit’, ku atje sic janë edhe pamjet që i din edhe krejt bota dihet se atje i kanë vra dhe i kanë masakru”, vlerwsoi ai.

Për Mehmetin, kujtimi i asaj dite mbetet i gjallë edhe sot.

“Shumë ka nga 2 deri në 3 persona të një familje, janë nga tre vëllezër të një shtëpie. është një grua e moshuar Sahide Metushi, e cila u vra nga forcat policore serbe dhe u mor trupi i saj ku sot fshati jonë e kërkon kufomën e saj, varri është i hapur e kufoma nuk gjendet askund. Ka njerëz me zemër të nxjerrur, mushkëri të nxjerrura dhe organe tjera, ka me kokë të këputur dhe këtë e ka bërë rëgjimi dhe policia e ushtria serbe, vetëm se këta dhe ne ishim shqiptar, qëndruam në shtepitë tona dhe kërkonim edhe ne të jetonim të lirë si cdo popull i botës. Këtë me tregu tani 27 vite pas luftës është dicka e trishtë vec me tregu, por është një realitet i përjetum i asaj dite, ku lutemi që kjo ngjarje që ka ndodhur në Reçak të mos përsëritet kurr në asnjë vend të botës. Sepse viktimat ishin civil të pafajshëm, të pa armatosur duke jetu në shtëpitë e tyre dhe u vranë në mënyrën më mizore nga policia e ushtria e serbisë e Jugosllavisë”, përfundoi ai për GazetaBlic.