• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Pantina: Do të ketë presion për dialog me Serbinë, Asociacioni sfida kryesore e Qeverisë

04/20/2025 12:08
nga:G B

Njohësja e çështjeve politike, Shqipe Pantina, thotë për Expose se ka qenë e pritshme që pas zgjedhjeve, ndërkombëtarët të nisin me presionin për vazhdim të dialogut. Por, sipas saj, në Kosovë nuk ka vullnet për dialog, për shkak të kompromiseve që duhet të bëhen.

“Procesi i dialogut tashmë është stërzgjatur dhe ai është ndalur nga palët, Kosova dhe Serbia, të cilët mundohen të gjejnë arsye që të mos e vazhdojnë, ndërsa fillon me presion të ndërkombëtarëve. Fushata zgjedhore e ka stagnuar procesin e dialogut paksa, edhe para fushatës nuk është se kemi pasur ndonjë zhvillim në dialog, i cili duhet tashmë të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare, kështu që është e kuptueshme që menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, përfaqësuesit të fillojnë presionin e tyre që ky proces të vie drejt përfundimit. Në anën tjetër, edhe qeveria aktuale në detyrë nuk po duket se ka ndonjë interes për të vazhduar por as partitë opozitare nuk i kemi parë të angazhuara që të marrin qeverinë, një nga arsyet mendoj se është edhe çështja e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare, për të cilët duket se nuk ka vullnet në Kosovë për ta shtyrë përpara sepse marrëveshja do të ketë kompromise”, ka thënë ajo.

Ndër kompromiset që do të duhet të bëhen në dialog, Pantina përmend Asociacionin.

“Ajo çka dimë deri më tani, kërkesa që i është bërë Kosovës është ajo për Asociacionin. Në botë kanë ndërruar rrethanat me ardhjen e Trump president i SHBA-ve, kështu që ne nuk e dimë cili është qëndrimi i kësaj administrate, a e mbështet edhe ajo planin franko-gjerman apo do të vie me ndonjë variant tjetër, ndonëse nuk ka ende deklarim nga administrata Trump. Si duket procesi do t’i lihet ende në dorë Bashkimit Evropian por ngaqë ata janë treguar shumë të ngathët me këtë proces, nuk përjashtohet mundësia që SHBA-të të marrin rol më proaktiv, sidomos i deleguari për kriza nëpër botë, Grenell, që ka qenë edhe më herët i përfshirë në çështjen e dialogut”, është shprehur Pantina.

Ajo ka theksuar se partitë nuk e kanë përmendur Asociacionin në fushatë pasi nuk është çështje që sjell vota.

“Çështja e dialogut nuk është çështje shumë popullore dhe nuk sjell vota, përkundrazi, ajo do të mund t’u kushtonte me ndonjë votë partive, andaj ato gjatë fushatës aspak nuk e kanë përmendur. Megjithatë, nuk është se nuk i dimë qëndrimet e partive. LDK dhe PDK kryesisht e mbështesin Asociacionin në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përderisa Vetëvendosje tashmë ka nënshkruar, është dakorduar. Ka nënshkruar një marrëveshje që është Marrëveshja e Ohrit, e cila po ashtu kërkon themelimin e Asociacionit. Çështja është te statuti që tashmë do të duhej të hartohej dhe të shkonte në Kushtetuese por Kurti nuk ka pasur gatishmëri ta bëjë këtë edhe për shkak të qëndrimeve të tij të mëhershme dhe se ajo do t’i kushtonte edhe në vota në zgjedhjet që i kishim përpara”,ka potencuar ajo.

Pantina mendon se themelimi i Asociacionit do të jetë sfida kryesore për qeverinë e re

“Sfidat kryesore në raport ndërkombëtar ose në raport me Serbinë do të jenë, e para që të largohen sanksionet të cilat i janë vënë Kosovës, pra sfida kryesore që e pret qeverinë e re është themelimi i Asociacionit e i cili duhet të bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese por për të cilin nuk e dimë nëse pala serbe do ta pranojë, apo edhe ndërmjetësit. Tashmë flitet që është një draft i cili nuk është bërë publik zyrtarisht, ne nuk e dimë se çka përmban dhe a do të ketë kompetenca shtesë që i quajmë ekzekutive apo do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe në anën tjetër çka do të ofrojë Serbia për këtë, a do ta ofrojë njohjen apo vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë që nuk e njeh Kosovën”, ka deklaruar Pantina./Gazeta Blic/