Lajme

“Nuk e dija se burrat preken nga kanceri i gjirit”: Katër-pesë raste brenda vitit në QKUK

03/30/2024 16:12
nga:Sh R

“Ajo që shoh, nuk më pëlqen” – ishin fjalët që shtangën Valonin gjatë një vizite mjekësore.

Nuk e kishte menduar kurrë se burrat mund të sëmuren nga kanceri në gji, derisa vetë u diagnostikua me të.

“Familja! Si do ta lë!”, ishte gjëja e parë që i kishte shkuar në mendje babait të dy fëmijëve.

Shpesh e perceptuar gabimisht si sëmundje vetëm e grave, kanceri i gjirit prek edhe burrat.

Deri në 1 për qind e rasteve të diagnostikuara janë burra, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Mendoja se mamografi bëjnë vetëm gratë”

Valoni ishte 38 vjeç kur u diagnostikua me sëmundjen. Një lojë krejt e zakonshme me të birin ishte bërë shkas që ta vizitonte mjekun.

“Teksa po luanim, papritmas, djali m’u hodh në gjoks. Ndjeva një dhimbje të madhe, të papërshkrueshme, por nuk fola me askënd… Shkova në banjë, e preka gjoksin dhe pashë se kisha një kokërr”, kujton ai për Radion Evropa e Lirë.

Menjëherë kishte nisur të shfletonte faqe në internet. Me informacionet që i shfaqeshin, i shpeshtoheshin edhe të rrahurat e zemrës.

“A i prek kanceri i gjirit edhe burrat… Gjithçka që lexoja, e vëreja në trupin tim”…

Dilemave dhe dyshimeve nuk u bëri ballë gjatë dhe iu drejtua Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Pas analizave të njëpasnjëshme iu rekomandua të bënte edhe mamografinë – një ekzaminim me rreze, që përdoret për të zbuluar dhe diagnostikuar sëmundje të gjirit.

“Unë mendoja se mamografi bëjnë vetëm gratë, jo edhe burrat”, kujton sot 40-vjeçari.

“Me të dalë rezultati, radiologia më tha: ajo që shoh, nuk më pëlqen”.

Fillimisht ndjeu mosbesim, ankth dhe trishtim për lajmin që “nuk kishte menduar se do ta dëgjonte ndonjëherë”.

Mjekët i thanë se kancerin që kishte në gji, e kishte në fazën e tretë, apo në një stad agresiv.

“Nuk u ndjeva mirë, por nuk kisha kohë të mendoja shumë”, thotë Valoni.

Dhe, ashtu siç i rekomanduan mjekët, iu nënshtrua operacionit të parë, pa e ditur se do të kishte nevojë edhe për të dytin.

“Uh, shumë gjëra më kanë shkuar në mend. Fëmijët ishin të vegjël”.

“E, çfarë nëse nuk ia dal?”, kishte menduar përkundër optimizmit që thotë se kishte.

Disa muaj pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale në QKUK dhe trajtimit me terapi, analizat i treguan se sëmundja nuk ishte tërhequr plotësisht.

I duhej edhe një operacion për të hequr komplet gjirin dhe për të mënjanuar edhe disa probleme të tjera që i kishte shkaktuar.

“Ai ishte operacion shumë i vështirë dhe në Kosovë nuk bëhej, për shkak të rasteve të rralla… Pas disa konsultimeve, gjeta një mjek në Shkup. Dhe, atë vit, unë isha pacienti i tij i gjashtë”, rrëfen Valoni.

Për ta mposhtur plotësisht sëmundjen beson se e ndihmoi edhe pozitiviteti i tij.

Dy vjet më vonë, edhe pse vazhdon ta marrë nga një tabletë në ditë, thotë se jetës i është kthyer normalisht, e “ndoshta edhe me më shumë vrull”.

Asnjë simptomë, apo ndryshim në trup, nuk duhet të neglizhohet, thotë Valoni.

Këtë thirrje bëjnë edhe profesionistët shëndetësorë.

Radio Evropa e Lirë