• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Nishori tregon si e mori vendimin që të tregonte publikisht historinë e tij: Këto dy gjëra më bindën

07/10/2026 21:42
nga:G B

Vendimi për të dalë e rrëfyer publikisht atë që i kishte ndodhur nuk ka qenë aspak i lehtë. Në këtë vendim për Ramadan Nishorin kishin ndikuar dy gjëra.

“Vendimi ka qenë, pasi i kam treguar familjes, fillimisht bashkëshortes, vajzës e pastaj dhe djemve, duke u ndier çdo ditë e më shumë i përkrahur e i lirë, kjo më ka shtyrë që të dal publikisht. Kryesorja që e kam marrë vendimin që dua të dal publikisht ka qenë kur isha me familjen, me vajzën dhe më tha “Bab, prej që ke biseduar me ne je shumë më i qetë, më i lirë, të ka ndërruar qehra, po dukesh më i hapur” se kam qenë njeri i mbyllur dhe ajo fjalë e saj ka ndikuar dhe fakti që ka shumë të tjerë që kanë përjetuar të njëjtën, kanë bërë që unë të dal të flas publikisht. Ka pasur raste kur kam marrë pjesë në konferenca me të organizatës, më vinte që të dilja dhe të flisja publikisht, psikologia më thoshte ngadalë se duhet fillimisht të konsultohesh me familje. Dhe pastaj u konsultova me familje dhe dola publikisht”, është shprehur ai për Expose të Gazeta Blic.

Bashkëshortja ishte përkrahja më e madhe për të, pasi e kuptoi për ngjarjen, për çka Nishori thotë të jetë penduar që nuk i ka treguar qysh në fillim të martesës.

“Bashkëshortes i kam treguar diku 1 vit para se të dilja publikisht. Te ne të mbijetuarit është një moment që të vjen të tregosh. Frika është gjithë se si do të reagojë familja, ka pasur raste kur janë ndarë çiftet për këtë arsye. Ka ardhur spontanisht t’i tregoj. Unë çdoherë me probleme shëndetësore. Më tha gruaja se ke diçka se s’është vetëm kjo. Edhe i tregova, kur kam rënë në burg në stacion të Policisë në Drenas kështu ka ndodhur. Edhe atë natë nuk foli, të nesërmen më tha “deri tani e ke pasur përkrahjen time, tani e ke edhe më të madhe”, aty më është dukur sikur ta hiqja 1 ton peshë nga shpina”, ka potencuar ai.

“Shumë jam penduar që nuk i kam treguar më herët, po ta dija në fillim sapo isha martuar do t’i tregoja sepse njeriu kur e ka përkrahjen e familjes është ndjenja më e mirë në botë. Sepse për ne të mbijetuarit mbrëmja është më e rëndë sepse ankthi, më vinte të qaja, dilja nga shtëpia në 12-1 të natës, dilja shkoja qaja që mos të më shihnin gruaja e fëmija dhe pastaj kthehesha. Gruaja thoshte ku po shkon, pse po del”, ka thënë Nishori./Gazeta Blic/