• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Ndodhemi nën mina”, “Asociacionin është dhimbje e VV’së” – A ia tregoi Kurti-deputetëve të vetë, draftin që e pranoi?

11/17/2023 21:44
nga:G C

Deputeti i partisë në pushtet (VV), Artan Abrashi është i ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin ku foli për draft-statutin e pesëshes evropiane që tashmë është pranuar nga kryeministri Kurti.

Abrashi thotë se edhe pse janë deputetë të VV’së nuk kanë asnjë informacion më shumë për përmbajtjen e atij drafti, përveç çka raportoi kryeministri Kurti në seancën e fundit.

“Kryeministri Kurti pas çdo takimi që e bën në Bruksel, vjen edhe raporton në Kuvend. Në seancën e fundit të Kuvendit, Kurti ka qenë prezent dhe ka qenë tejet i qartë duke shpjeguar rrjedhen e krejt këtij procesi dhe foli edhe për detajet e takimit, mirëpo e theksoi edhe një gjë: Në raport me këtë temë, nga Kosova respektivisht kryeministrit Kurti i është kërkuar një konfidicionalitet për një periudhë të caktuar, këtë gjë e tha haptas në Kuvend”, tha ai.

“Pra, mund të them çdo gjë që duhet të them, por kur vie puna tek një zotim që është kërkuar nga ndërmjetësuesit për të treguar qëndrimin tonë korrekt. Krejt çka dimë ne si deputetë, është raportimi i tij në Kuvend”, shton Abrashi.

Abrashi e quan Asociacionin si “dhimbje” edhe të tyre jo vetëm popullit, por ai thotë se kundërshtimet për të i kishin bërë që Kosova tash mos të jetë e detyruar ta pranojë.

“Draft-statutin nuk e kemi parë, ka informata të shkëputura. Kohëve të fundit është krijuar një lloj mjegulle në opinionin publik, shumë e vështirë t’i besohet se cili është versioni i vërtetë. E kemi shumë problem të komentojmë një dokument i cili nuk është zyrtar, por edhe nëse është i tillë, nuk është përfundimtar. Prandaj, këtë ia kisha lënë kohës”, tha Abrashi.

“Ne kemi pas një takim me kryeministrin Kurti dhe në atë takim ai na ka thënë kështu: Që ne kemi folë dhe tema e diskutimit është marrëveshja gjithëpërfshirëse. Unë mendoj se fillimisht duhet ta trajtojmë në totalitet këtë punë”, thotë ai.

Abrashi thotë se shteti i Kosovës është nën mina dhe sipas tij, Kurti po mundohet të zbusë këtë gjendje.

“Asociacioni është edhe dhimbja jonë, është një barrë të cilën ne qysh kohë më parë e kemi paralajmëruar e kundërshtuar me të gjitha metodat. Gjithmonë kemi thënë që të lihet kjo mënyrë e negocimit pa parime, sepse kjo mënyrë do të krijojë realitete jo të favorshme për Kosovën, kështu do të formohet detyrime prej të cilave Kosova nuk mund të ikë”, tha Abrashi.

“Krejt anagazhimi i Kurtit është zbutja e dëmeve që është bërë në të kaluarën, por duhet të bëhemi real. Sot shteti i Kosovës ndodhet në mina ku duhet të ketë shumë kujdes se ku po ecë. Kurti është duke bërë maksimumin që t’i zbusë dëmet që janë bërë si kompromise në të kaluarën”, tha ai në Blic Interview.

/GazetaBlic/