Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, është i ftuari i kësaj jave në emisionin ‘Blic Interview’.
Ndër të tjera, ai foli edhe për bllokadën që po ndodh në Kuvendin e Kosovës, ku kërkoi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të lëshojë pe dhe të krijojë rrugë që të matet në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, ai ka dështuar me premtimet e tij që kishte dhënë dhe se nuk ishte as fitues i zgjedhjeve, pavarësisht që mori 42% të votave.
“Albin Kurti ka thirrë pë bashkim kombëtar, ka thirrë për drejtësi, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe të gjitha këto nuk janë realizuar. Ai tani duhet të lëshojë pe dhe të matet në zgjedhjet e ardhshme. Këto zgjedhje kanë treguar se ai nuk ka fituar, ai doli i pari, por nuk ishte fitues. Ai ka kërkuar 500 mijë vota, por mori vetëm 42%, ka rënë për 9% të votave. Ai duhet ta thirrë mendjen dhe të mendoj se Kosova është më e rëndësishme se Albin Kurti, vendi ka nevojë për ta krijuar një qeveri deri tek zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk jemi për ta rrëzuar Albin Kurtin, ai e ka rrëzuar vetveten me sjelljet dhe veprimet e tij, në pushtetin 4 vjeçar që kishte “, tha fillimisht Hasani.
Tutje, ai komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, me shumë zëra që flasin për një rizgjedhje të mundshme të Vjosa Osmanit në këtë pozitë.
Hasani tha se nuk ka qëndrim momental për këtë gjë, por shtoi se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet nga populli në mënyrë direkte.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit. Mendoj se duhet të ndryshojë dhe të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli. Kjo zgjedhje do të ishte më unifikuese dhe nga kjo formë do të dilet një figurë që do të përfaqësonte më mirë populllin. Maqedonia e Veriut e ka këtë formë të zgjedhjes së presidentit, mendoj se edhe ne duhet ta ndërrojmë. Ne duhet të kemi një qëndrim të partisë për një rizgjedhje të mundshme të Vjosa Osmanit si presidente, pra të diskutojmë dhe pastaj të kemi një vendim të përbashkët”, përfundoi Hasani.
/GazetaBlic/