• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Nafije Latifi tregon si e ktheu përballjen me kancerin e gjirit në mision për të ndihmuar gratë tjera

10/26/2026 09:45
nga:Genita C

Ish-gazetarja Nafije Latifi u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2004, në një kohë kur në Kosovë mungonin mundësitë për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Përvoja e vështirë që përjetoi u bë shtysë për të ndihmuar gratë e tjera që përballeshin me të njëjtën sfidë.

Në emisionin “Expose”, prodhim i GazetaBlic, Latifi rrëfeu se përballja me sëmundjen ishte e rëndë, jo vetëm emocionalisht, por edhe për shkak të vështirësive në diagnostikim dhe mungesës së trajtimit në vend.

“Ka qenë vështirë, sepse është dashur të shkohet nga një ordinancë private tek tjetra për të ardhur deri te diagnoza. Ka qenë vështirë sepse dihej që nuk ka mundësi të trajtimit të sëmundjes”, tregoi ajo.

Latifi tha se këto përvoja e shtynë të mendonte edhe për gratë që nuk i kishin mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për t’u përballur me sëmundjen.

“Dhe ideja ka ardhur, motivimi ka ardhur prej aty që si t’i ndihmoj gratë e tjera?”, u shpreh Latifi.

Kështu, më 8 mars 2006, ajo themeloi Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta Vita”, me synimin për të informuar dhe ndërgjegjësuar gratë për rëndësinë e vetëkontrollit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.

Ajo kujtoi edhe hapat e parë të kësaj nisme, kur dolën në sheshet e Prishtinës për të informuar qytetaret për rrezikun nga kanceri i gjirit.

“Ne kemi dalë me i vetëdijësu që në mjedisin tonë, sëmundja e kancerit të gjirit është prezente dhe atakon çdo tetë grua gjatë jetës së saj”, tha Latifi.