Analisti politik Imer Mushkolaj ka deklaruar në Blic Interview se nga këndvështrimi i pushtetit, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale do t’i konvenonte më së shumti Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Sipas tij, një qasje e tillë strategjike do të ndikonte pozitivisht në performancën e partisë në nivel lokal, ku tradicionalisht ka treguar dobësi.
“Prej perspektivës së pushtetit, unë mendoj se pushtetit i konvenon të shkojë në zgjedhje. Pra, për VV-në do të ishte shumë e favorshme të organizohen zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet nacionale, duke marrë parasysh që VV performon dobët në zgjedhjet lokale,” tha Mushkolaj.
Ai shtoi se për VV-në do të ishte në interes që të dyja proceset zgjedhore të ndodhnin paralelisht, me shpresën se atmosfera kombëtare mund të ndikojë edhe në rezultatin lokal.
“Do të ishte në favor të saj që këto zgjedhje të organizoheshin bashkë, me logjikën mbase kjo logjikë e zgjedhjeve nacionale të përzihet disi me frymën e zgjedhjeve lokale dhe të fitojnë më shumë komuna,” theksoi ai.
Megjithatë, Mushkolaj shprehu skepticizëm nëse zgjedhjet e reja do ta zgjidhnin realisht situatën politike në favor të VV-së. Ai theksoi se nuk pret që kjo parti të fitojë më shumë se sa ka fituar më parë.
“Unë nuk besoj që zgjedhjet e reja do ta zgjidhnin problemin sipas optikës së VV-së, me idenë se ata do të fitojnë më shumë. Unë nuk mendoj se do të fitojnë më shumë sesa kanë fituar në zgjedhjet e 9 shkurtit,” përfundoi Mushkolaj.
Intervista e plotë: