Ministria e Mjedisit refuzon projektin për lagjen “Ulpiana”
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka refuzuar zyrtarisht projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, të propozuar nga Komuna e Prishtinës, pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së tij.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Fitore Pacolli, e cila përmes një njoftimi ka deklaruar se projekti nuk është në përputhje me bazën ligjore dhe dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi.
Sipas Pacollit, gjatë hartimit dhe miratimit të projektit janë shpërfillur procedurat dhe dispozitat ligjore që rregullojnë planifikimin hapësinor në vend.
Ajo ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar projektin si një përpjekje për betonizimin e njërës prej lagjeve më ikonike të kryeqytetit.
Në arsyetimin e vendimit, ministria ka evidentuar disa shkelje dhe mospërputhje ligjore. Ndër to përmenden mungesa e bazës ligjore në dokumentet e planifikimit hapësinor, përcaktimi i destinimit të parcelës pa dëshmuar përputhshmërinë me shfrytëzimin e lejuar, si dhe caktimi i parametrave urbanë përmes një vendimi të veçantë, në vend të dokumenteve përkatëse të planifikimit hapësinor.
Po ashtu, ministria ka vlerësuar se kushtet zhvillimore, ndërtimore dhe të lokacionit duhet të jenë në përputhje me dokumentet në fuqi të Komunës së Prishtinës.
Pacolli ka theksuar se hapësirat publike nuk mund të trajtohen si pronë private dhe se asnjë projekt nuk mund të lejojë destinim apo shfrytëzim të parcelave në kundërshtim me dokumentet zyrtare të planifikimit hapësinor.
Me këtë vendim, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka refuzuar projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e tij në formën e propozuar nga Komuna e Prishtinës.




