Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me situatën në vend dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
Një ditë pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti ka paraqitur raportin për rezultatet e tij gjatë qeverisjes, kreu i ekzekutivit ka kritikuar edhe komunat, duke thënë se nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i mbajtur qytetarët brenda vendit.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, Haliti e ka cilësuar raportin e Kurtit si vetëlavdërim, duke thënë se përmbajtja është në kundërshtim me rezultatet që ai ka sjellë gjatë këtyre viteve.
“Ka natyrisht edhe program qeverisës, mosrealizim të atij, besa ka hendikepe që janë të theksume, edhe që duhet m’i evidentu, qytetari i evidenton më së miri”, ka thënë ai.
Ndërsa, sa i përket mirëqenies së qytetarëve në komuna, Haliti konsideron se qeverisja lokale dhe ajo qendrore duhet ta kenë një objektiv të përbashkët, siç është ai për shërbimin ndaj qytetarëve, pa dallim.
Ai po ashtu thekson se ikja e qytetarëve është pasojë e mungesës së progresit shtetëror.
“Komunat janë vërtet të dëmtuara jashtëzakonisht shumë. Reperkusione financiare që ka shkaktu kontrata kolektive pa fajin e komunave.”, ka shtuar ai.

