Lajme

Gjermania dhe Austria kërkojnë kalimin e TikTok-ut nën pronësi evropiane

11/27/2026 20:02
nga:Mergim Rreci

Gjermania dhe Austria kërkojnë që aktivitetin e TikTok ta kalojnë nën pronësi dhe kontroll evropian, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave dhe kontrollin e algoritmeve.

Propozimi synon të garantojë që infrastruktura teknologjike e platformës, përfshirë sistemin e rekomandimit të videove, të jetë nën përgjegjësi evropiane.

Ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Çështjet Digjitale, Alexander Pröll, thanë se vetëm rregullimi ligjor nuk mjafton për të zgjidhur çështjen e kontrollit mbi platformën.

Të dy vendet synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve të Bashkimit Evropian për këtë nismë në mbledhjen e Këshillit të Telekomunikacionit dhe Energjisë, më 2 dhjetor në Bruksel.

Nisma vjen pas shqetësimeve të Komisionit Evropian për mënyrën se si algoritmi i TikTok-ut u rekomandon përdoruesve përmbajtje potencialisht të dëmshme.

Nga ana tjetër, TikTok e kundërshtoi propozimin, duke e cilësuar pa bazë. Kompania argumenton se operacionet e saj evropiane i nënshtrohen ligjeve të BE-së dhe se ka investuar 12 miliardë euro në programin e sigurisë së të dhënave “Project Clover”.