E ftuar në emisionin Blic Intervieë me Astrit Gashin, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se LDK nuk ka qenë pengesë për zgjedhjen e presidentit dhe se në parim brenda partisë ka pasur mbështetje për Vjosa Osmanin.
Ajo tha se është e bindur se votat kundër në Lëvizja Vetëvendosje do të kishin qenë më të shumta sesa në LDK, duke theksuar se brenda partisë nuk ka pasur refuzim për emra gjatë procesit të dialogut.
“Jam e sigurtë që vota kundër në LVV ka pas shumë më shumë se do të kishte pas dikush ndonjë cështje në LDK. Jam shumë e sigurtë që prej LDK në parim ka marrë mbështetje, po kjo është situatë hipotetike. LDK nuk ka qenë cështje, dhe asnjëherë nuk ka refuzuar ndonjë emer përgjatë dialogimit rrjedhimisht as presidenten Vjosa Osmani, dhe mendoj që në LDK ka pasur përkrahje”, u shpreh ajo.
Sipas saj, brenda LDK-së ka pasur deputetë që kanë komunikuar me presidenten, megjithëse ajo vetë personalisht nuk ka pasur kontakte me të.
Megjithatë, ajo nuk pranoi të përmendë emra konkretë, duke shtuar se sipas vlerësimit të saj, më shumë se pesë apo gjashtë deputetë të LDK-së kanë pasur komunikim me presidenten Osmani.
“Nga unë personalisht jo, unë e di që ka kontaktuar disa prej deputetëve të LDK që janë të afërt me presidentën. Deputetët janë të lirë të komunikojnë, edhe me presidenten dhe jam e sigurtë që shumë prej deputetëve të LDK kanë diskutuar me presidenten kanë diskutuar cështje politike, dhe kjo është vlerë, nuk është dicka. Nuk kisha preferu me përmend emra, mendoj se më shumë se 5-6 janë”, përfundoi ajo.


