Vesel Makolli, AKR, ka reaguar ndaj krizës institucionale që po vazhdon në vend, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic ka kritikuar Vetëvendosjen dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë të qëndrueshmërisë në veprime dhe për krijimin e bllokadës aktuale.
“Unë, as nuk kam ëndërruar që mund të vijë kjo situatë, pra ta rrezikojmë shtetësinë – kjo është e frikshme. Vetë fakti që Ambasada Amerikane na ka lënë anash, sepse edhe në të kaluarën kemi pasur situata të tilla, por kanë ndërhyrë, është e frikshme dhe po duan ta shikojnë patriotizmin dhe njerëzinë tonë,” tha Makolli.
Ai fajësoi partinë fituese për krizën politike, duke deklaruar se Kurti nuk ka qenë konsistent në vendimet e tij politike.
“Faji është te partia fituese, e cila e ka krijuar këtë situatë. Albin Kurti nuk është konsistent në veprimet e tij,” u shpreh ai.
Makolli theksoi se përveç Presidencës, shteti aktualisht nuk ka institucione funksionale dhe kritikoi klasën politike për fokusin në interesa personale.
“Kjo situatë na bën që të kuptojmë se këta liderë janë duke menduar vetëm për egon e vet. Edhe presidentja duhet ta çojë urgjentisht këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Këtu ka faj edhe opozita – duhet të bëhen bashkë dhe të fillojë cikli i zgjedhjes së Qeverisë, në mënyrë që të ecet përpara,” tha ai.
Sipas tij, si pozita, ashtu edhe opozita, po hezitojnë të marrin përgjegjësi, për shkak të sfidave që i presin – përfshirë çështjen e Asociacionit.
“Edhe pozita, edhe opozita po frikësohen, sepse kanë shumë punë përpara – kjo Qeveri ka pranuar edhe Asociacionin,” përfundoi Makolli./GazetaBlic/
Intervista e plotë:


