Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar mungesën e gatishmërisë për kompromis nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, problemi kryesor që e pengoi arritjen e një marrëveshjeje ishte mungesa e guximit dhe e vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje për të bërë hapa drejt kompromisit.
“Para së gjithash, mungoi guximi i Vetëvendosjes për të bërë hapin drejt një kompromisi që është i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Ndoshta mund të jetë edhe mungesë dëshire, por kjo flet për mungesë vullneti politik për të bërë zgjidhje dhe për t’i dhënë vendit institucione”, tha Lushaku-Sadriu në ‘Blic Interview me Astrit Gashin’.
Ajo theksoi se vendi ka kaluar tashmë disa procese zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër, gjë që sipas saj ka lodhur qytetarët.
“Tash e një vit kemi pasur disa raunde zgjedhjesh dhe vërtet qytetarët janë lodhur. Në vend që sot të flasim për politika dhe vendime që e bëjnë jetën më të mirë për qytetarët, ne po flasim për një emër për presidentin”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së shtoi se partia e saj ka qenë e interesuar të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit dhe në krijimin e institucioneve funksionale.
“LDK-ja ka qenë e interesuar me ngulm që të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit. Ne nuk kemi dashur domosdoshmërisht zgjedhje në këtë kohë, sepse më e rëndësishme ka qenë të formojmë institucione dhe t’i japim vendit funksionalitet. Megjithatë, kur nuk ka vullnet nga spektri që është në pushtet, ne nuk mund të bëjmë njëanshëm një marrëveshje politike”, theksoi Lushaku-Sadriu.
/GazetaBlic/


