• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Lushaku-Sadriu: Nuk kemi diskutime momentale me Osmanin, por dyert e LDK-së janë të hapura

03/13/2026 22:02
nga:Mergim Rreci

Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se zgjedhjet krijojnë gjithmonë një momentum të ri politik dhe se partitë duhet të ofrojnë alternativa konkrete për qytetarët.

Në një intervistë në emisionin Blic Interview me gazetarin Astrit Gashi, ajo tha se LDK synon të prezantojë një program më të detajuar, i cili ofron zgjidhje për problemet e qytetarëve.

“Zgjedhjet, kur mbahen, krijojnë një momentum të ri dhe rrethana të reja politike. Ne, si parti, duhet të jemi shumë të angazhuar për të ofruar një alternativë të re, me një program më të detajuar për qytetarët dhe me përgjigje konkrete për hallet dhe problemet që ata kanë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo shtoi se është në favor të një bashkimi më të madh të partive të spektrit të djathtë të qendrës, duke kritikuar politikat e majta për mungesë projektesh zhvillimore.

“Jam për një përbashkim të madh të së djathtës së qendrës. Kemi parë se politikat e majta nuk kanë projekte zhvillimore dhe nuk e çojnë vendin përpara”, theksoi ajo.

Duke komentuar raportet me presidenten Vjosa Osmani, Lushaku-Sadriu tha se nuk ka njohuri për ndonjë diskutim të tanishëm, por shtoi se LDK-ja i ka dyert e hapura për të gjithë ata ose ato që duan t’i bashkohen misionit të saj.

“Nuk jam në dijeni që kemi diskutime konkrete me zonjën Osmani. Ajo është ende presidente dhe duhet ta përmbushë mandatin e saj pa asnjë ndikim politik. Megjithatë, ne si parti i kemi dyert e hapura për këdo që dëshiron t’i bashkohet rrugëtimit dhe misionit tonë politik”, u shpreh ajo.

Sa i përket dekretit të presidentes dhe shqyrtimit të tij në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, deputetja e LDK-së tha se partia e saj ka paraqitur komentet dhe qëndrimin e saj në mbështetje të dekretit.

“LDK-ja i ka dërguar komentet e saj të argumentuara mirë dhe e ka mbështetur dekretin e presidentes. Ne kemi qëndrimin tonë pro dekretit dhe presim që Gjykata të marrë vendim në bazë të asaj që kemi dërguar. Vendime të tilla kërkojnë kohë, por do të ishte e mirëseardhur që një vendim nga Gjykata Kushtetuese të vijë sa më shpejt”, tha Lushaku-Sadriu.

/GazetaBlic/