Sa është sot Lidhja Demokratike e Kosovës e përgatitur për t’i hyrë garës zgjedhore?
Ish deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, thotë se asnjë parti politike nuk është e gatshme për zgjedhje.
“Mendoj se komplet skena politike në Kosovë është e papërgatitur për zgjedhje dhe zgjedhjet janë të panevojshme, sepse po bëhen tri palë zgjedhje për në më pak se një vit e gjysëm. Pra, pse po shkojmë në zgjedhje kaq shpesh dhe cila është arsyeja pse nuk po mundet me arrin një konsensus dhe kompromis politik? Kjo është tema e parë që duhet me diskutu dhe pastaj në kuadër të saj me pa se ku është LDK-ja”, ka thënë ai për BlicInterview.
Gashi ka folur për çështjen e presidentit, teksa ka thënë se për këtë duhet konsensus, e për çka fajin më të madh e ka partia fituese.
Por, ai ka folur dhe për rolin e LDK-së në gjithë këtë proces.
“Përgjegjësi mendoj se ka një koncept gabim për bashkëpunimin dhe kompromisin. Ka një koncept gabim edhe për mënyrën se si duhet ndërtohen institucionet. Vetë ideja në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për po-funksionin e presidentit është një ide përbashkuese dhe negociuese. Pra, ideja kur është kushtetutshkruesi, kur e ka vendos në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që për zgjedhjen e presidentit duhet të marrin pjesë në proces të paktën dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, nënkupton konsensus, nënkupton kompromis, nënkupton bashkëpunim, nënkupton dalje përtej partive politike. Dhe këtë koncept nuk po e përqafon klasa politike e Kosovës. Pra, ka një diskrepancë në kuptimin e klasës politike dhe Kushtetutës dhe parimeve bazë mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Pastaj, kjo po na, po përdoret si sistem bllokues dhe sistem imponues në politikë. Mendoj se përgjegjësinë kryesore në këtë rast e ka partia më e madhe, por pa dashje me përjashtuar dhe parti të tjera që normalisht kanë përgjegjësi në tyre në kuptimin e organizimit dhe llogaridhënies dhe po ashtu në kuptimin e ndërtimit të institucioneve shtetërore. Pra, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pjesën e vet të përgjegjësisë në konstituimin e institucioneve, por pjesën më të madhe të fajit e mban Lëvizja Vetëvendosje, e cila duhet me e kuptu se funksioni i presidentit nuk është funksion partiak dhe koncepti kushtetues prej dy të tretave, të paktën dy të tretat e të gjithë deputetëve, është një mekanizëm imponues i kompromisit. Pra, si duhet kuptuar si mekanizëm imponues i kompromisit dhe kjo pastaj nënkupton, ose duhet të ketë kompromis politik më të gjerë brenda parlamentit, për të gjetur një figurë politike, e cila përfaqëson një shumicë prej dy të tretave, ose duhet kaluar te një figurë jo partiake, e cila mund të përfshijë, mund të marrë më shumë vota se sa që është minimumi i nevojshëm”, ka thënë Gashi. /Gazeta Blic/


