• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kusari-Lila për mundësinë e tensionimit të situatës në veri: Duhet të ketë kujdes të shtuar nga Bashkësia Ndërkombëtare

05/12/2023 20:40
nga:G C

Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë dhënë për Blic Interview me Astrit Gashin tha se procesi zgjedhor që ka ndodhur në Veri, është ligjor.

Kusari-Lila shprehu shqetësimin e mënyrës së implementimit, pra të marrjes së mandatit nga ana e kryetarëve të zgjedhur.

“Aktualisht është ligjore ajo çfarë ka ndodhur në Veri, kryetarët e komunave kanë marrë mandat për aq sa janë votu. Për mënyra se si duhet të implementohet ka sfida tepër serioze.Kanë fillu edhe hapat e parë sikurse është dorëheqja e kryesuesit të Asamblesë komunale në Zubin Potok në mënyrë që të pamundësohet mbajtja e mbledhjes së Asamblesë Komunale ku do të bëhet betimi i kryetarëve. Por para se të gjithë të ngrejnë alarmin për mundësinë e eskalimit të situatës ashtu siç po deklarojnë, është mirë të vendosin fokusin tek ata se kush po eskalon situatën”

Kusari-Lila duke përmendur paralajmërimet që po jepen se mund të ketë tensione në Veri, tha se komuniteti shqiptar nuk shkon atje për të kriju dhunë.

Ajo tha se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të ketë kujdes më të shtuar në raport me mundësinë e tensionimit të situatës në Veri.

“Nuk do të jenë institucionet e vendit dhe as komuniteti shqiptar shumicë që shkon atje për të kriju dhunë dhe nuk ka shku asnjëherë. Por do të jenë disa grupe të organizuara kriminale të armatosura, tërësisht në linjë me qeverinë e Serbisë dhe nën diktatin e tyre ato do të veprojnë sipas urdhërave që i kanë. Ne nuk mundemi të jemi krejtësisht neutral ndaj diçkaje që ndodh në shtetin tënd por këtu duhet të ketë një kujdes më të shtuar edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, në raport me mundësinë e tensionimit të situatës atje” tha Kusari-Lila për “Gazeta Blic”