Arben Gashi vlerëson se Albin Kurti po do zgjedhje dhe për këtë nuk e di arsyen.
“Mendoj se ai po don zgjedhje. Nuk e di pse po don zgjedhje. Nuk e di pse i interesojnë atij zgjedhjet, sepse ka një rezultat jashtëzakonisht mirë zgjedhor dhe nuk e di pse i interesojnë Kosovës zgjedhjet. Ndoshta strategjikisht mundet me mendu se Kosovës i duhen një palë zgjedhje për t’u largu pak e edhe pak, aa, prej presionit ndërkombëtar, sepse gjendja politike ndërkombëtare është shumë e tensionuar dhe është problematike. Mund të jetë shumë problematike për Kosovën nëse fillojnë bisedimet me Serbinë dhe ndoshta mendon me e shty deri mbas zgjedhjeve të Mid-Term Elections që janë në Amerikë, me pa se si po ribalancohet politika atje. Po, këto janë krejt hipoteza. Realiteti është se nuk kemi president. Realiteti është që po shkohet pashmangshëm deri zgjedhjeve nëse në këto katër, pesë ditët e ardhshme nuk do të ketë një kompromis. Nuk e përjashtoj mundësinë që këto katër, pesë ditët e ardhshme të ketë një qasje të re dhe të mund të arrihet një kompromis”, ka thënë ai.
Por, a bëri mirë LDK që shkoi në takime me Kurtin, sipas Arben Gashit?
Ai thotë se ka qenë gjithmonë pro takimeve e bisedimeve.
“Unë kam qenë gjithmonë që LDK-ja të jetë pjesë e bisedimeve, të ulet në tavolinë dhe t’i qasë kërkesat e veta. Kërkesat e veta jo në aspektin e kërkesave materiale ose të kapjes së pushtetit, por kërkesat në aspektin e idesë, programit, ideologjisë LDK-së, ideologjisë qendër-djathtë dhe të shohë se sa mundet të bashkëpunojë. LDK-ja në qenëzën e saj është ndërtuesi refuzues i Jugosllavisë dhe ndërtues e kompromisit shqiptar këtu në Kosovë dhe nuk mundet me u rikonceptuar ndryshe LDK-ja.Pra mendoj se LDK-ja gjithmonë duhet të ofrojë kompromisin. Mendoj se LDK-ja gjithmonë duhet të jetë bashkëpunuese dhe bashkëbiseduese dhe normalisht refuzuese kur është e papranueshme ajo që vjen si rezultat i tij bashkëbisedimi. Mendoj se rezultati ka qenë i dëmshëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndoshta edhe prej faktit që LDK-ja u pa ndryshe sesa që është pa gjithmonë si një ofruese e bashkëpunimit”, ka deklaruar Gashi.
Ai vlerëson se LDK duhet të sillet si vetvetja dhe se s’ka problem të diskutojë.
“Nuk e di se si do të jetë rezultati, por LDK-ja duhet të sillet si vetvetja dhe vetvetja e LDK-së është bashkëpunimi, vetvetja e LDK-së është kompromisi, vetvetja e LDK-së është konstruktiviteti dhe vetvetja e LDK-së është qëndrueshmëria në qëllimin e vet afatgjatë. Pra, në vizionin e vet që e ka për Kosovën, në vizionin e vet që e ka për qeverisjen, në vizionin e vet që e ka për zhvillimin e brendshëm qytetar dhe për zhvillimin e vet si parti. Nëse LDK-ja është brenda këtyre kornizave, unë mendoj se nuk është kurrfarë problemi me bisedu me secilin prej partive politike në Kosovë”, ka thënë ai.
Mirë, pse LDK i shkoi në takime Kurtit derisa ky i fundit e nënçmonte?
Gashi thotë se Kurti në vazhdimësi ka pasur batuta e sjellje të tilla dhe i kanë funksionuar, por që sipas tij këto janë gabim pasi e pamundësojnë kompromisin.
“Po tani ato janë format të batutave ose sjelljes politike që zoti Kurti në vazhdimësi i ka bërë dhe që i kanë, i kanë, i kanë funksionuar. Dhe mendoj që është gabim. Ato i kanë funksionuar në momente politike, por politikisht mendoj se është gabim, sepse e pamundëson kompromisin. Kosovës i duhet kompromis, Kosovës i duhet bashkëpunim. Kosovës i duhet koordinim, sepse është shumë vend i vogël. Nuk e kemi ne luksin e dominimit. As zoti Kurti dhe asnjë parti politike në Kosovë nuk mundet me dominua. Pra, i duhet bashkëpunimi dhe na me fitu nesër, na duhet bashkëpunimi me skenën politike të Kosovës. Na duhet bashkëpunim me krejt aktoret politikë, sepse secili ka diçka nga programi, nga idetë apo nga njerëzit e vetë mirë që mundet m’i dhon bashqeverisjes dhe m’i dhon Kosovës. Pra, na duhet me u pa në frymën e konstruktivitetit. Zoti Kurti, për fat të keq të Kosovës, nuk e sheh kështu, dhe si duket edhe ju ka imponuar krejt klasës politike kjo mënyrë e fragmentarizimit dhe refuzimit a priori. Dhe LDK-ja ka dalë prej komoditetit vetë për një kohë të caktuar. Mendoj se është komoditet normal i LDK-së që të sillet si konstruktive dhe bashkëpunuese”, ka potencuar ish deputeti.
Ai ka folur dhe për mundësinë e një koalicioni VV-PDK, që thotë se mund të jetë paszgjedhor.
“Po mendoj se këtu po vihen hapat për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve. E, ata dhe zoti Kurti dhe PDK-ja dinë që në këtë moment është e pamundur një formë e tillë e bashkëpunimit mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, por ndoshta pas zgjedhjeve mund të krijohet një frymë pak më relaksuese, në mënyrë që nëse shihet që është e pamundur një bashkëpunim me LDK-në, atëherë t’i jepet mundësia një bashkëpunimi tjetër që është me PDK-në”, ka deklaruar Arben Gashi./Gazeta Blic/


