• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kriza e çmimeve, Rafuna kërkon masa nga pushteti: Bëni atë që po bëjnë qeveritë e rajonit

07/26/2026 16:51
nga:Genita C

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa konkrete për uljen ose heqjen e përkohshme të akcizës për derivate, duke vlerësuar se rritja e çmimeve të naftës po rëndon bizneset dhe prodhimin vendor.

Rafuna për GazetaBlic tha se kjo kërkesë është bërë që nga fillimi i krizës së lidhur me zhvillimet gjeopolitike dhe Ngushticën e Hormuzit, por sipas tij, institucionet nuk kanë reaguar.

“Ne kemi kërkuar qysh kur lindi kjo krizë e Hormuzit, për shkak të rrethanave gjeopolitike, që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime: ose ta ulë akcizën, ose ta heqë për një kohë të caktuar”, ka thënë Rafuna.

Ai theksoi se një masë e tillë do të duhej të zbatohej veçanërisht për sektorët që preken drejtpërdrejt nga çmimet e derivateve.

“Sidomos për sektorë të caktuar, siç është sektori i bujqësisë, sektori i transportit të mallrave ose sektori i transportit të udhëtarëve, qoftë urban, qoftë ndërurban”, u shpreh ai.

Sipas Rafunës, mungesa e ndërhyrjes ka sjellë pasoja në ekonomi, ndërsa inflacioni vazhdon të mbetet në nivele të larta.

“Nuk patëm një reagim të tillë dhe sot po i shohim pasojat e inflacionit, ku po na qëndron mbi 6 për qind”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ai kërkoi që Qeveria të jetë më e kujdesshme në rast të rritjeve të reja të çmimeve dhe të ndjekë shembullin e vendeve të tjera.

“Ne i kemi kërkuar Qeverisë së Republikës së Kosovës që të jetë shumë e kujdesshme dhe e vëmendshme, ta përcjellë trendin. Të mos bëjë as më shumë, as më pak se sa kanë bërë qeveritë e vendeve të rajonit apo disa qeveri të shteteve të Bashkimit Evropian”, deklaroi Rafuna.

Ai përmendi se disa vende evropiane kanë ndërhyrë në normën e akcizës për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.

“Ke shumë qeveri italiane, ke shumë qeveri austriake, ke shumë qeveri gjermane, ku lëvizin me normën e akcizës për një kohë të caktuar, derisa të stabilizohet situata”, tha ai.

Rafuna insistoi se kërkesa e bizneseve nuk është për masa të jashtëzakonshme, por për një trajtim të ngjashëm me vendet e tjera.

“Çka po kërkojmë prej qeverisë? Nuk jemi duke kërkuar mrekulli. Bëjini ato që po i bëjnë qeveritë e vendeve të rajonit”, theksoi ai.

Sipas tij, nëse vendet e tjera kanë hequr ose ulur akcizën, një masë e tillë duhet të merret edhe në Kosovë.

“Nëse ata e kanë larguar akcizën, largoje edhe ti dhe barazoje prodhuesin tonë, produktin tonë, me çmimin e tij. Mos e bëni produktin tonë më të shtrenjtë se prodhimi i tij”, përfundoi Rafuna.

E plotë: