• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kosova përfundoi në vendin e parafundit në grup, Loxha: Problemi qëndron tek fakti se pritshmëritë janë rritur nga FFK

12/03/2023 21:23
nga:Mergim Rreci

Gazetari dhe komentatori i sportit, Arbër Loxha beson se një nga problemet për dështimin e kombëtares së Kosovës në ciklin kualifikues për EURO24, ishte edhe rritja e pritshmërive nga vet Federata e Futbollit të Kosovës.

Kujtojmë se ‘Dardanët’ e mbyllën ciklin kualifikues në vendin e parafundit, e objektivi real ishte kualifikimi, me ç’rast kjo mund të konsiderohet si dështim total.

Loxha në një prononcim për dokumentarin e GazetaBlic, ‘Expose’, ka përmendur disa nga problemet që ai i sheh se kanë ndikuar në dështimin e kombëtares së Kosovës në futboll gjatë kësaj periudhe.

“Tek çështja e vlerësimit të kualitetit të kundërshtarëve gjithmonë varet kur përballesh me ta, kur jemi përballur e kemi kuptuar se ne jemi më të dobët se ata. Problemi qëndron tek fakti se pritshmëritë janë rritur nga Federata, që kishin shumë shpresa se kualifkimi do të ishte një ëndërr e realizushme për neve, duke parë edhe kombëtaret kundërshtare që i kishim në listë. Si rezultat i pritshmërive të mëdha, dëshpërimi është edhe më i madh kur dështohet. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në mos realizimin e një projekti që e pati FFK, nga një emërim jo i mirë i një trajneri, telashet që kishin futbollistët me trajnerin e përkohshëm, të gjitha këto ndikojnë në rezultate. Patjetër që ka reflektu edhe fusha, sidomos edhe në ndeshjen ndaj Rumanisë, ku ne kishim një lojë më të mirë. Natyrisht fusha ishte e dobët edhe për rumunët, por ne duhej t’i fitonim tre pikët në shtëpi. Nëse e përmbledhim në një, krejt këta janë faktorë që kanë ndikuar për një dështim të Kombëtares së Kosovës në ciklin kualifikues për ‘Euro 2024′”, tha fillimisht Loxha për ‘Expose’.

Edhe Loxha pret reforma dhe trajner të ri, i cili do të mund të bëjë punë të mirë – pasi koha është në favor tonin tashmë.

“Është pak e vështirë të flasim për neve nga jashtë se cilat janë problemet reale të brendshme, por se është e nevojshme të bëhen disa ndyshime tashmë është e qartë. Duhet të bëhen reforma që do të ndikojnë në rritjen e motivimit të punës dhe qasjen e ciklit të ri që do të vie me Ligën e Kombeve. E para, duhet të bëhen detyrat e shtëpisë, të sqarohen problemet e brendshme, sjelljen e emrave që do të jenë kompetentë për pozitat. Poashtu mos të humbim shumë kohë për emrin e trajnerit, pasi që kjo gjë është urgjente. Janë tashmë 6 muaj pushim dhe për ato 6 muaj ai duhet që të vlerësojë të dhënat për futbollistët që kemi. Duhet të rritet lista e grupit të futbollistëve dhe në bazë të saj të krijohen edhe pritshmëritë, të dihet saktë forma se si do të punohet me ta dhe të kontaktohen secili prej tyre. Duhet të dihet se kush do të konsiderohet si pjesë e boshtit dhe kush do të vie ta kompletojë atë fotografinë e plotë. Këto janë disa nga ato gjërat që unë i shoh nga jashtë e që duhet t’i bëjë Federata e Futbollit të Kosovës”, përfundoi Loxha.

/GazetaBlic