• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Kosova ka bërë kompromise”/ Statovci për Asociacionin: Asnjë pikë nuk është më e rëndësishme se tjetra

04/19/2025 21:15
nga:G B

Nuk e përmendën në planprogramet elektorale. Asnjë fjalë apo qëndrim për dialogun me Serbinë nuk u dëgjua nga kandidatët për kryeministër nga partitë politike në vend, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kështu, duke e lënë të paqartë se si do të veprojnë me procesin e dialogut, për të cilin ka kohë që nuk ka pasur takime mes palëve. Por, dialogu me Serbinë ishte një nga çështjet kryesore të qeverisë Kurti në 4 vite mandat. E, duket se presioni do të nisë për dialog sapo të formohen institucionet e reja të vendit.

Se palët duhet të kthehen në dialog dhe duhet të bëjnë kompromise e thanë edhe nga NATO e Bashkimi Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Kosovës në fillim të muajit mars, tha se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura. Ai tha se palët duhet të bëjnë kompromise dhe të fokusohen në dobitë afatgjata.

Kompromiset nga palët u përmendën edhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili tha se objektivi është që dialogu të vazhdojë dhe të ecë përpara.

Por, çfarë mund të pritet nga dialogu në vazhdim, cilat do të jenë kompromiset që duhet bërë dhe  çfarë sfidash do të ketë qeveria e re përballë dialogut?

Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, thotë për dokumentarin Expose, se Kosova është dëshmuar si palë konstruktive në dialog dhe se presioni duhet të jetë te pala serbe.

Ajo thekson se Kosova ka bërë ndër hapat më të mëdhenj, duke bërë Marrëveshjen e Ohrit.

“Ne e vlerësojmë angazhimin e emisarëve ndërkombëtarë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe e mirëpresim zotin Peter Sorensen në rolin e tij të ri. Por Kosova është një palë që është dëshmuar si konstruktive dhe e gatshme për një normalizim të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo çështja dhe vëmendja duhet të jetë te pala refuzuese e jo te ajo që tashmë ka treguar gatishmërinë e saj për konstruktivitet. Ne tashmë kemi bërë një hap, një prej hapave më të mëdhenj me marrëveshjen e cila ishte mbështetur nga BE dhe nga SHBA-të dhe në këtë rrethanë nuk besoj që fokusi duhet të jetë te një dialog që në vetë nënkupton pafundësi të kompromiseve mirëpo zbatim të marrëveshjes së Ohrit e cila kishte gatishmëri nga pala jonë që të nënshkruhet dhe të formalizohet si proces në mes të dy shteteve”, ka thënë ajo.

Sa i përket kompromiseve të përmendura nga ndërkombëtarët, Statovci ka theksuar se Kosova ka bërë kompromise të shumta gjatë dialogut.

“Kosova ka një historik të kompromiseve të shumta. Minoritetet kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, të drejtën e vetos për ndryshime kushtetuese, pushtet të zgjeruar në nivel lokal, dhe shumë aspekte tjera që janë shembuj konkretë të një qasjeje gjithëpërfshirëse që e tejkalon standardet rajonal apo evropian”.

Sipas saj, nuk mundet vetëm një Kosova të bëjë kompromise  dhe pala tjetër jo.

“Kompromiset nuk mund të jenë një rrugë njëkahëshe. Nëse njëra palë vazhdimisht kërkon shumë e më shumë, e tjetra duhet të bëjë përherë kompromise shumë e më shumë, kjo nuk është formula e duhur për një stabilitet afatgjatë. Serbia po pengon rrugëtimin integrues të Kosovës në organizata ndërkombëtare e kontinentale, kjo është kundër dakordimit të Brukselit. Unë e quaj më shpesh “dakordim”, sepse Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk pati gatishmërinë për ta nënshkruar asnjëherë, ne patëm, pra kompromisi nuk mund të kërkohet te pranuesi i planit Franko-Gjerman, por te refuzuesi”, ka potencuar ajo për “Expose”.

E sa i përket implementimit të Asociacionit nga pala kosovare, deputetja Statovci thotë se do të shkohet në mënyrë kronologjike me pikat e marrëveshjes, pasi asnjëra pikë nuk është më e rëndësishme se tjetra.

“Ne e kemi thënë në vazhdimësi që zotimi ynë dhe kërkesa që ka qenë karshi qeverisë së Kosovës, në këtë rast në propozimin që ka derivuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA-të, ka qenë marrëveshja e Ohrit, në të cilën ne kemi pranuar dhe jemi zotuar të ecim tutje, përderisa palët dakordohen në atë proces dhe nënshkruhet, formalizohet si proces. Për ne asnjë pikë nuk është më e rëndësishme se tjetra, aty ka një kronologji të proceseve dhe pikave, që duhet të ecën në harmoni, mirëpo qasja destruktive e Serbisë ka vazhduar në tërë sikurse në rastin e Banjskës, në rastin e Ibër Lepencit e së fundi e shohim edhe te njohja nga Kenia, ku dërgon mesazhe në raport me mosrespektimin e pikave që përmban kjo marrëveshje e edhe tjerat që tregojnë se Serbia nuk ka ecur përpara dhe Vuçiqi ka mbetur në një kohë të para 99-ës”, shton ajo.

Deputetja e Guxo ka folur dhe për sfidat që e presin qeverinë e re karshi dialogut me Serbinë.

“Ne jemi në një rrethanë që ka shumë elementë në vete, zhvillime të ndryshme që nuk janë vetëm të Ballkanit por edhe më gjerë, globale. Ne e shohim që BE ka një zotim në raport me rritje të buxhetit karshi shpenzimeve në ushtri dhe përforcimeve të saj ushtarake  por ne kemi treguar që jemi një shtet i cili qëndron aleat i botës perëndimore, i cili është aleat i përhershëm i NATO-s dhe në rrethana të tilla të jetë bashkëpunues dhe bashkëveprues drejt agjendave perëndimore dhe duke qenë edhe shtet i vogël, shtet i ri, por nuk duhet harruar se jemi projekt për stabilitet në Ballkan Perëndimor”, ka theksuar Statovci.

Ajo shton se për këtë proces do të vazhdojnë bashkërendimin me aleatët.

“Ne vazhdojmë të operojmë brenda parimeve të ligjit të sigurisë, gjithashtu edhe në bashkëpunim me aleatët tanë. Ky është një proces të cilin e kemi bashkërenduar me aleancat tona por edhe bazës ligjore dhe kushtetuese me të cilat operojmë, besoj që brenda këtyre normave ne e kemi treguar gatishmërinë tonë, por presioni duhet të jetë te pala e cila është refuzuese, e jo e ajo e cila tashmë veç ka treguar gatishmërinë e saj”, ka deklaruar Jeta Statovci./Gazeta Blic/