• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Komandanti i Policisë serbe dha urdhër të ndërpritje xhirimi- Si nuk arritën t’a zbrapsin nga raportimi gazetarin Bytyqi me 2 korrik 1990

05/10/2025 21:45
nga:Y I

Ish-gazetari i RTP-së Nuhi Bytyqi, ishte i ftuari i radhës në dokumentarin ‘Expose’.

Bytyqi na rrëfen për sfidat e të bërit gazetari në kohën e okupimit serb.

Ai ndan me ne një episod të veçantë ku gjatë raportimit mund t’i kushtonte shumë rëndë.

Me 2 korrik të vitit 1990, Bytyqi, ashtu siç çdo ditë tjetër do të ishte në punë.

Atë ditë delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan ‘Deklaratën Kushtetuese’.

Pas leximit të kësaj deklarate, Bytyqi ,së bashku me një kameraman të RTP-së dalin në shesh të Prishtinës për të marrë emocionet e qytetarëve për këtë ngjarje historike, kur ai përballet me Policinë Serbe.

Por asgjë se zbraps gazetarin Bytyqi nga misioni i tij, ai edhe pas urdhrit të dhënë nga komandanti i policisë serbe që të mos xhirohej arrin ta realizojë intervistën.

“Po, me dy korrik të vitit 1990 isha në mesin e disa gazetarëve të Radio Televizionit të Prishtinës dhe të gazetës ‘Rilindja’ dhe të revistës ‘Zëri’ dhe të mediave tjera në atë kohë që kanë funksionuar në Kosovë. Ishte ngjarje historike kur delegatët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur para dyerve të Kuvendit të Kosovës dhe nuk lejoheshin që të hynin në sallën solemne të Kuvendit të Kosovës. Ishte urdhër i prerë nga Beogradi që në asnjë mënyrë që të mos lejohen delegatët të hyjnë brenda në sallë dhe të vazhdojnë mbledhjen që ishte caktuar më herët. Mirëpo ne si gazetar e kishim si detyrë që këtë ngjarje t’a përcillnim pavarësisht rrethanave që ekzistonin . Aty përreth ndërtesës ishin njësitë speciale policore serbe dhe mundoheshin me çdo kusht të pengonin punën e deputetëve por edhe punën e gazetarëve. Ne nuk u dorëzuam dhe unë isha në mesin e atyre gazetarëve të cilët realizuam disa intervista me ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës të cilët kishin vendosur që mbledhjen t’a vazhdonin edhe para dyerve të Kuvendit të Kosovës, e kishin kuorumin dhe ishte kënaqësi e madhe dhe ishte një privilegj që ne raportuam nga kjo ngjarje historike. Delegatët e Kuvendit të Kosovës siç dihet e lexuan deklaratën Kushtetuese të 2-korrikut me të cilën Kosova shpallej njësi e pavarur në kuadër të ‘Federatës së atëhershme Jugosllave’ .

Pas leximit të kësaj deklarate nga delegati, Muharrem Shabani , dhe miratimi i saj nga 111 delegatët e këtij kuvendi , unë me iniciativën time pa planifikuar fare e marr kameramanin Leondard Pagarusha dhe dalim në shesh të Prishtinës . Unë e ndaloi një qytetar rasti dhe e pyes ‘Si e pritet lajmin për shpalljen e Dekleratës Kushtetuese të 2 korrikut’…..në ato momente pa përfunduar pyetjen time ndërhyri komandanti i Policisë serbe dhe me disa policë të tjerë u munduan që ta ndërprejnë incizimin e kësaj interviste. Unë ta them të drejtën nuk doja që kjo interviste të ndërpritej dhe nuk frikësohesha fare edhe nga pasojat që mund të vinin me atë rast dhe kështu e luta qytetarin të flasë. Mirëpo ai si duket u frikësua, komandanti dha urdhër që të ndërpritej xhirimi, unë insistova që të gjitha ato pamje të gjiroheshin edhe në këto rrethana dhe ne arritëm që t’a kryejmë detyrën tonë. Ishte një përpjekje e Policisë serbe që të pengojë realizimin e detyrës time si gazetar por unë këtë detyrë e kreva duke e realizuar intervistën në një vend tjetër…. pasi u larguan policët nga vendi aty unë mora atë bashkëbisedues dhe një tjetër dhe intervistën e realizuam në një vend tjetër afër Televizionit të Prishtinës” tha Bytyqi në rrëfimin e tij për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.