Bardhyl Hasanpapaj ka kritikuar qasjen e partive politike dhe zhvillimet rreth çështjes së presidentit, duke e cilësuar situatën si të paqartë dhe problematike.
Ai e konsideroi të çuditshme mungesën e komenteve nga Partia Demokratike e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, duke lënë të hapur mundësinë që kjo të jetë një taktikë politike. Sipas tij, nëse Gjykata i jep Kuvendit edhe një mundësi për zgjedhjen e presidentit, vendi mund të kthehet në “pikën zero”, ku shumica do të tentojë ta zgjedhë presidentin me 61 vota, e jo me konsensus më të gjerë.
Hasanpapaj po ashtu ka vlerësuar se përpjekjet për takime nga Albin Kurti përbëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se pezullimi i Kuvendit nga Gjykata tregon se aktualisht nuk ka funksionim real të tij.
“Ishte pak e çuditshme që PDK-ja nuk dërgoi komente në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e presidentit. A është taktikë politike mbetet për t’u parë, por ata e dinë fare mirë që nëse atij Kuvendi i hapet dera edhe njëherë nga Gjykata Kushtetuese, në çfarëdo lloj interpretimi, gjë që për mua do të ishte e çuditshme, por nëse i hapet dera Kuvendit që ta ketë mundësinë dy apo tri herë për zgjedhjen e presidentit, pastaj ne kthehemi në pikën zero, ku partia që e ka mazhorancën do të tentojë të shkojë tek 61 votëshi, pra që me 61 vota ta zgjedhë presidentin, jo me 80 dhe as me konsensus politik.Mënyra se si e shoh unë nuk është e rastësishme. Edhe tentativat për takime nga Kurti ishin një presion i qartë ndaj Gjykatës Kushtetuese.Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Kuvendin sepse e dinë që Kuvend s’ka më”, tha ai në Blic Interview me Astrit Gashin.


