E, zgjedhjet e shumta thotë se e kanë lënë Kosovën në një gjendje qetësie që dy vite, ku thuajse asgjë nuk funksionon e ka humbur besimit.
“Përveç faktit që që dy vite ka mbetur Kosova në një qetësi absolute, ku asgjë nuk ndodh, ku i kemi të gjitha pozitat pothuajse me ushtrues detyre, ku nuk kemi kuvend funksional, ku nuk kemi vendime, nuk kemi ligje që aprovohen, pothuajse është ndalur koha tashmë e dy vjet, është sjellë një dëm i madh në përgjithësi edhe në rrafshin ndërkombëtar, Kosova po e humb reputacionin të cilin shumë vështirë e ka fituar sepse ne kemi shumë shtete që nuk na kanë njohur, kemi shtete që ende besojnë se shpallja e pavarësisë ka qenë gabim dhe të gjitha këto po shkojnë në dëm të Kosovës. Dëmet janë të shumëfishta por mbi të gjitha është humbur besimi pothuajse në çdo gjë, qytetarët janë thuajse në udhëkryq, është një situatë që besoj se Kosova kurrë nuk ka qenë në pozitë më të vështirë dhe më të keqe”, ka thënë ajo.
Por, a ekziston mundësia që të ketë sërish zgjedhje këtë vit? Sipas Valdete Dakës, kjo edhe mund të ndodhë, nëse rezultatet do të jenë të përafërta, teksa shton se partia fituese duhet të bëjë kompromise.
“Në qoftë se nuk kemi ndryshime të rezultatit apo kemi rezultate të përafërta, do ta kemi një situatë të ngjashme siç e kemi tash e 2 vite, ku askush nuk lëshon pe dhe nuk ka kompromis, natyrisht kompromiset priten nga partia e cila i fiton zgjedhjet, jo nga ato që i humbin, por gjithsesi nuk shoh ndonjë perspektivë shumë të mirë për Kosovën”, është shprehur ajo.
Ndërsa, sa i përket procesit zgjedhor të qershorit, Daka potencon se KQZ e ka marrë mesazhin nga zgjedhjet e fundit dhe beson se do të kujdesen që të mos përsëritet një gjë e tillë.
“Besoj se KQZ-ja tashmë e ka marrë mesazhin nga zgjedhjet e fundit dhe besoj se do të kujdesen që në këtë drejtim mos të ketë shkelje të tilla që i kanë pasur në vitin e kaluar por ajo mbetet të shihet pas ditës së zgjedhjeve, kur të fillojë numërimi dhe kur të fillojnë të dalin rezultatet e para se a do të kemi ankesa eventuale apo jo, atëherë do ta dimë se çka ka ndodhur gjatë numërimit, se dita e votimit te na tradicionalisht shkon shumë mirë, qytetarët e kanë mësuar se ditën e zgjedhjeve nuk fitohet asgjë, të gjithë e kryejnë obligimin qytetar dhe dita përfundon mirë, por pastaj fillojnë ato ngjarjet të cilat ndodhin gjatë numërimit të votave”, ka theksuar ajo.
Ndonëse thirrja për të votuar është bërë klishe pasi në Kosovë po mbahen zgjedhje shumë shpesh, ish kryetarja e KQZ-së ka një mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës, që ata me votën e tyre mund ta ndryshojnë gjendjen.
“Kjo tashmë është bërë klishe, dilni dhe votoni sepse ne pothuajse çdo 2-3 muaj dalim e votojmë dhe ka shumë qytetarë që e kanë humbur vullnetin për të votuar sepse pavarësisht votimit, nuk po ndryshon asgjë. Unë megjithatë u kisha bërë thirrje qytetarëve, vota bën ndryshimin, po nuk votuam nuk mund të themi pastaj se pse e kemi sërish situatën e njëjtë. Në qoftë se qytetarët dalin dhe votojnë mund të ndryshojnë diçka dhe mund të ndryshojë edhe gjendja që është tashmë në Kosovë. Përndryshe, ata që nuk votojnë nuk besoj që e kanë të drejtën të dalin dhe të ankohen e të thonë se pse po ndodhë kjo apo ajo. Me votën tënde, mund të ndryshosh diçka”, ka përfunduar rrëfimin e saj Valdete Daka./Gazeta Blic/


