• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Jakaj: As në këtë legjislaturë të 2023-së nuk janë të parapara reformat në skemën sociale dhe pensionale

03/27/2023 00:00
nga:N M

Naim Jakaj, nga IKD që kryesisht merret me politika sociale, vlerëson se Qeveria Kurti qysh në fillim të mandatit të saj bëri gabim me shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, raporton Gazeta Blic.

Ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic thotë se nuk ka asnjë kuptim se pse qeveria aktuale dy vjet pas mandatit qeverisës, nuk ka filluar me reformat në skemën sociale dhe reformat në sistemin pensional.

“Në fakt nuk dihet pse nuk po nis reforma pensionale dhe sociale, projektligji për skemat pensionale ka qenë i paparaparë në programin legjislativ për vitin 2021 të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend, po ashtu ka qenë edhe për vitin 2022, ndërkohë në programin legjislativ për vitin 2023 nuk është i paraparë fare, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese një ditë para përfundimit të vitit 2022, ka marrë një vendim, mbi të cilin e ka rrëzuar një dispozitë ligjore të ligjit për skemat pensionale”, thotë ai.

Jakaj shton se bëhet fjalë për një dispozitë të ligjit që i ka cenuar mijëra pensionistë të drejtën për ta marrë pensionin kontributëdhënës përmbi 100 euro.

”Aktualisht në Kosovë janë mbi 300 mijë pensionistë, 149 mijë janë që marrin pensionin bazik prej 100, euro dhe 49 mijë janë kontributëdhënës, pjesa tjetër ka të bëjë me pensionet e veteranëve, por me ligjin aktual mijëra pensionistë nuk arrijnë të marrin pensionin mbi 100 euro për shkak se ky ligj e ka marrë një dispozitë të ligjit Federativ të ish- Jugosllavisë, ku kriteri për ta arritur pensionin kontributëdhënës është dashur që para vitit 1999 të ketë periudhë pune prej 15 vjetëve dhe këtë dispozitë e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese”, shpjegon Jakaj për “Expose”.

Por shton ai, kur shihet në aktgjykim, ku Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Minsitrisë së Financave me kërkesën, se cilat janë arsyet që mund të ndryshohet një dispozitë të tillë, MEF përgjigjet që “një projektligj i tillë parashihet që të ndryshohet brenda vitit 2022 dhe këtë çështje do ta adresojmë në projektligjin që e parasheh dhe projektligji nuk është askund fare dhe nuk dihet a do të jetë ky ndryshim në programin 2023 dhe kur është miratuar programi legjislativ për vitin 2023 ky projektligj nuk është fare në këtë program”.

”Ne i kemi kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit, sepse Kushtetuesja ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria ka afat deri me 23 korrik të këtij vitit ta heq këtë dispozitë dhe të bëhen ndryshimet e duhura, në mënyrë që këta mijëra qytetarë ta gëzojnë këtë të drejt dhe të jenë të barabartë para ligjit, sikurse të gjithë pensionistët e tjerë. Pra, i kemi kërkuar qeverisë përgjigje nuk ka kanë kthyer, i kemi kërkuar Kuvendit nuk na kanë kthyer, pra me vonesë kemi marrë një përgjigje nga MEF duke na thënë se për vitin 2023 në programin legjislativë nuk është i paraparë ky projektligj”, thotë Jakaj, raporton Gazeta Blic.