• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Haziri tregon pse dështoi marrëveshja për president mes LDK-së dhe VV-së

10/10/2026 11:44
nga:L J

Lutfi Haziri i ftuar në “Blic Interview me Astrit Gashin”, ka folur edhe për arsyet që sipas tij çuan në mosarritjen e një marrëveshjeje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për zgjedhjen e presidentes.

Haziri tha se negociatat me LDK-në kanë qenë politike dhe se Albin Kurti nuk e ka ndryshuar qëllimin e tij, por vetëm metodat për ta arritur atë.

“Kjo është politikë. Ka hyrë në bisedime me ne, nuk janë arritur qëllimet sepse Kurti qëllimin e ka kryesor, metodat i ndërron. Qëllimin e vet nuk e ndërron, as në rastin me LDK-në nuk e ka ndërruar qëllimin. Ka dashur të kapitalizojë për një marrëveshje për president, ka bërë ofertë për bashkëqeverisje, LDK-ja i ka thënë ‘jo faleminderit’, sepse tre ministra dhe një zëvendësministër për pjesëmarrje në qeveri nuk ka qenë e mjaftueshme”, deklaroi Haziri.

Megjithatë, Haziri tha se pavarësisht refuzimit të ofertës për bashkëqeverisje, LDK-ja ka vazhduar negociatat me VV-në për çështjen e presidentit.

“Përkundër kësaj, LDK-ja ka vazhduar me bisedu për president. Emri i Bekim Sejdiut nuk i bashkoi të gjithë deputetët, pretendimi ka qenë që, përtej LDK-së dhe VV-së, Bekim Sejdiu me pas ndikim pozitiv edhe te grupet e tjera, që ka pasur një lloj simpatie dhe një lloj besimi. Ky emër nuk i bashkoi, kjo është ajo që ndodhi në këtë marrëveshje”, tha ai.

Në fund, Haziri tha se pas dështimit të këtij opsioni, Kurti ndryshoi qasjen dhe nisi të kërkojë një zgjidhje tjetër, këtë herë përmes PDK-së.

“Kurti e ndërroi metodën edhe partinë dhe e gjeti emrin me PDK-në. Filloi me Bekim Sejdiun dhe përfundoi me Justina Shiroka-Pulën”, përfundoi Haziri./Gazeta Blic