I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri ka deklaruar se raporti i qeverisë tani me ndërkombëtarët është raport mosbesimi.
Ai tha se tanimë nuk po i’u besohet në qëndrime deklarative dhe kërkojnë zotime me shkrim.
Haziri tha se “Trojka e Kosovës” duke iu referuar Kurtit, Osmanit dhe Konjufcës nuk po qeveris por vetëm po administron.
“Raporti i qeverisë tani me ndërkombëtarët është raport mosbesimi, i kushtëzuar dhe kërkohen veprime. Nuk besohet më në qëndrime politike, deklarative që themi ne, nuk besohet më në zotime me shkrim, bardh e zi, nënshkruajn tri autoritete kryesore, “Trojka e Kosovës” që e kanë shumicën parlamentare që udhëheqin me Kosovën, që nuk po qeverisin fatkeqësisht por po administrojnë, por ky është problem i brendshëm. Tani duan veprime konkrete, kjo është që duhet me ba veprimin, duhet me ba vendimin, duhet me e dërgu vendimin, po përsëritet 2017…… Ju kujtohet Ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Nuk ka qenë pjesë e kërkesave për liberalizimin e vizave. Raporti i Komisionerit për punë të Brendshme dhe Siguri në BE ka qenë që Kosova menjëherë brenda 2017 me marr liberalizimin e vizave dhe kërkesa për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ka ardhur si kërkesë e NATO-s dhe jo si kërkesë e Komisionit Evropian. Kërkesa e NATO-s ka qenë që Mali i Zi me e përfshi në një mekanizëm më të shpejtë për antarësim dhe e ka pas problemin e fundit të demarkimit të kufirit me Kosovën dhe kanë kërku që me e kry më shpejt. Ajo është bërë problem për shkak të kundërshtive në Kosovë, të Vetëvendosjes kryesisht dhe pastaj kjo u bë ‘gurë në qafë’ derisa nuk u miratu Ligji për demarkim”
“Tani kërkesa po përsëritet, po rikthehet, kjo nuk është kërkesë në raportin e Dora Bakoyannis, nuk është kërkesë as e mekanizmave të BE-së është kërkesë e treshes evropiane me në krye presidentin Macron . Presidenti Macron ka një rol më të fuqishëm në BE tani. Ardhja e kancelarit Scholz pas një kancelareje si Merkel, ‘lokomotivë e BE-së’. Tani si duket presidenti Macron ka një lidership në BE më të fuqishëm dhe po udhëheq këtë treshen ku është kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni. Të tre i kanë taku para Samitit të BE-së Kurtin dhe Vuçiq dhe kanë kërku që Marrëveshja Bazë e Brukselit e 27 shkurtit duhet të ecë në implementim, kanë marrë zotime.Me vetë faktin se ke marrë zotim ata kanë marrë obligim me e shty. Tani ata kanë fillu me na lexu drejt, presioni vjen gjithmonë me veprime, nuk ka më qëndrime deklarative por veprim konkret”
A tutje tha se Aplikacioni i Kosovës është që dy vite i mbyllur në BE.
“Aplikacioni jonë që dy vjet është i mbyllur në BE nuk është hapur. Ne këtë vit, janë përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor në Komisionin për kohezion socio-ekonomik dhe Kosova nuk është përfshirë. Te pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë fillu, Kosova është jashtë për shkak të mospërbushjes së obligimeve të saj që ka impakt të madh financiar nuk ka vetëm mekanizëm që i bashkon Ballkanin Perëndimor në Forume dhe institucione rajonale por është edhe mekanizëm që krijon mundësi financiare” deklaroi Haziri në Blic Interview.