I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin, është ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, raporton GazetaBlic.
Haziri ka thënë se zhvillimet politike të viteve të fundit kanë shkaktuar “dëm të pakthyeshëm” për Lidhjen Demokratike e Kosovës, duke shtuar se këto ngjarje kanë ndihmuar në forcimin e Lëvizjës Vetëvendosje Albin Kurtit.
Sipas tij, dalja e figurave nga LDK ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvendosjen e votës dhe në rritjen e rivalëve politikë.
Ai ka përmendur edhe rolin e Vjosa Osmanit, duke thënë se ajo ka ndikuar në zhvendosjen e një pjese të madhe të votuesve të LDK-së drejt subjekteve të tjera.
“Dëmi ka ndodh, nuk sanohet. Ajo cka ka ndodh i ka dhënë oksigjen politik dhe katapultim të madh LVV dhe Albin Kurtit, por sa mund të rikthehet roli i LDK në qeverisje duke rikthy besimin është ajo që unë e pres, një rikthim i besimit të njerëzve të cilet edhe na në fazën e parë i kemi bë me besu që binomi LDK-LVV është zgjidhja e vetme për Kosovën, kjo ka ndodh prej vitit 2017. Vjosa Osmani e ka bë atë katapultën, e ka kriju mundësinë e nxjerrjës së një numri të madh të votuesve të LDK që me shku përmes derës së vogël që e ka hap ajo me kalu si votues atje, sepse në atë vit në atë listë Vjosa Osmani ka qenë numër 2 nuk ka qenë numër 1, kjo e ka bartë votuesin e LDK sepse njerëzit kanë shku me votu Vjosa Osmanin”, tha ai.
Sipas Hazirit, vota brenda LDK-së është bërë fluide që nga viti 2014, ku qytetarët kanë votuar ndryshe për nivel lokal dhe ndryshe për atë qendror, duke krijuar lëvizje të mëdha elektorale.
“Sa do të kthehet kjo, është cështje krejt tjetër, edhe e organizimit të LDK dhe finalizimit të listës sepse lista duhet me përmbajtë më shumë se 1 emër ose më shumë kredibilitet politik në mënyrë që në rajone të ndryshme të Kosovës me mrri besim. Në LDK po ndodh një votë fluide prej vitit 2014, njerëzit e LDK kanë fillu me votu ndryshe për pushtet lokal dhe ndryshe për pushtet qendror. Ne do mundohemi që këtë votën fluide me detektu, po besoj që ka të bëjë më shumë me emra të përvecshëm tash, sic është rasti i Vjosës në vitin 2021”, theksoi ai.
Lutfi Haziri ka theksuar se rivalët politikë kanë ditur të shfrytëzojnë këtë dobësi të LDK-së, duke marrë figura kyçe nga brenda saj dhe duke rritur fuqinë e tyre elektorale.
Ai ka bërë thirrje që LDK të mos lejojë më largimin e figurave dhe të rikthejë besimin e votuesve përmes organizimit më të mirë dhe listave më kredibile.
“Kur ka dal dikush prej LDK ka kriju dicka ose është zhvendos diku e ka pamundësu LDK me kapitalizu, me maksimalizu rolin e vet, me fitu vet, madje ka fitu rivali i LDK. Edhe PDK në formulën e njejtë edhe LVV në formulën e njejtë por në mënyrën dhe kohën e ndryshme, neve rivalët na i kanë gjetë dobësinë, që për me fitu LDK duhesh me ia marrë njerëzit. Na nuk duhet me leju më kurrë që me u leju me u zhvendos njerëzit e LDK, me u thy besimi. Në rastin e Vjosa Osmanit dhe në rastin e disa të tjerëve, shkolla politike dhe karriera është ndërtu brenda LDK”, përfundoi Haziri për GazetaBlic.


