• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Haxhiu: Po i presim tri raporte inspektuese, shpejt do ta kuptojmë kush është përgjegjës për vrasjen e Hamides

12/03/2022 21:10
nga:Gazeta Blic

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive për “Blic Interview”, ka folur për atë se cila hallkë e sistemit dështoi, që mund të ketë çuar në vrasjen e Hamide Magashit, vrasje kjo që tronditi Kosovën.

Haxhiu ka theksuar se kanë kërkuar inspektime nga tri hallka të sistemit, dhe po i presin raportet, raporton Gazeta Blic.

E para drejtësisë e ka përshkruar edhe momentin e varrimit të Hamide Magashit, shtatzënës, e cila u vra në mënyrë mizore para QKUK-së, një ditë para se ajo të bëhej nënë.

“Ishte një moment jashtëzakonisht i vështirë. Për mua ishte një nga ceremonitë e varrimit më të vështira, sikurse edhe për të gjithë qytetarët e shumtë, që ishin për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Hamides”, tha ajo.

Haxhiu tha se këto raste si institucione nuk bënë të na dorëzojnë.

“Sepse Femicidi se fenomen nuk bën të na mund, dhe në këtë drejtim është e vërtetë dhe pajtohem se nuk mund ta mbyllim këtë rast me një protestë dhe me një dhënie të lamtumirës së fundit dhe do të duhet të kërkojmë përgjegjësi nga personat të cilët nuk e kanë kryer detyrën”, tha ajo për emisionin “Blic Interview”.

Ministrja e Drejtësisë tha se në takimin e Grupit Ndërministror kanë kërkuar inspektime, në raport me veprimet që janë ndërmarrë për të ofruar mbrojte tashmë ndaj të ndjerës.

“Fillimisht kemi kërkuar inspektime të veprimeve policore, nga ana e Inspektoratit Policor, poashtu kemi kërkuar inspektim edhe nga Inspektorati Shëndetësor dhe sikurse edhe me funksionimin e Qendrave për punë Sociale në raport me shërbimet që ia kanë dhënë viktimës, në momentin kur viktima kishte raportuar dhënën ndaj saj, dhe atë në fillim të korrikut të këtij viti”, sqaroi ajo.

Dhe shtoi ajo, jemi në pritje të këtyre tri raporteve.

“Dhe unë ju garantoj që në momentin që do t’i kemi këto tri raporte të plota, atëherë do të evidentohet dështimi institucional apo zinxhiror. Sepse për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës, duhet të funksionojnë siç duhet Qendrat për Punë Sociale, Policia kur raportohet rasti, strehimoret që strehojnë viktimat e dhunës në familje, sikurse edhe Prokuroria dhe Gjykatat”, tha Haxhiu, raporton Gazeta Blic.

Sipas saj, në momentin që po kemi raste, kur dhunuesit po lirohen në procedurë të rregullt, po i inkurajon ata që të vazhdojnë veprimet e tyre të dhunshme dhe po përfundojnë në vrasës.

Haxhiu ka vazhduar me akuza ndaj sistemit prokurorial

“Prandaj, jo vetëm këto institucione që i përmenda, por të njëjtat veprime do të duhej t’i ndërmerrte edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili po e bojkoton shtetin. Sic e dini, Këshilli Prokurorial dhe Prokuroria ku ka ndodhur rasti, e ka për obligim që të nis procedurë ndaj prokurorit që nuk e ka kryer punën sic duhet. Ne ende nuk jemi në dijeni për këtë”, tha Haxhiu.