Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues të Kosovës, Enver Hasani, në BlicInterview me Astrit Gashin, duke folur për njohjen de fakto të Kosovës nga ana e Serbisë, tha se për të qenë njohja de fakto, ekzistojnë indiciet që në momentin që pala e cila duhet të njeh, e që është Serbia, dhe ai që e ndërmjetëson marrëveshjen të thotë siç të ka thënë, kjo nuk është njohje as de fakto, e as de jure.
“Çdo gjë aty mbyllet. Ti mund ta interpretosh deri në mëngjes si të duash, asnjë rëndësi nuk ka ajo që thua ti, por me rëndësi është çfarë thotë Stano, i cili është 100 për qind në vijë me qëndrimin serb gjatë negociatave dhe pas negociatave”, tha Hasani.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të leximit qesharak dhe tragjikomik të luftës në Ukrainë nga ana e lidershipit të Kosovës.
“Lidershipi i Kosovës naivisht ka besuar po ndodh një luftë atje dhe Serbia automatikisht është me Rusinë, atëherë ne jemi me perëndim dhe Perëndimi duhet me na përkrah. Shiko, në politikën ndërkombëtare, motivet siç janë korrupsioni, ka pafund histori në të drejtat e njeriut, Putini vret dhe masakron në ditë dhjetëfish më shumë se sa ata që i kemi sot ne në Hagë, apo jo. Për Putinin është problem, tani ka me shku në Afrikë të Jugut dhe të shohim se a do ta burgosin. Politika botërore nuk shkon me sharje dhe me britma ndaj kundërshtarëve. Është irelevante, të gjithë ne e dimë se kush është Vuçiqi, gjithë Evropa e di, Perëndimi e di se i ke të gjitha në Youtube, e di edhe Serbia, edhe ata janë ngusht me të, por ai prapë i fiton votat. Me të diskutohet dhe me të bëhet marrëveshja. Serbia ka qenë dhe është i vetmi vendi që ka qenë aleat me Kinën, Rusinë dhe eventualisht edhe me vendet tjera, që mund të prishin parametrat e sigurisë euro-atlantike. Për pasojë, me të është dashur një qasje tjetër. Serbia duke e parë këtë dhe duke e përfshirë edhe lobin jashtëzakonisht të fuqishëm serb në Amerikë viteve të fundit, fakt ky i cili neglizhohet, vjet verën e kaluar Vuçiqi i ka thënë ndërkombëtarëve kurrë mos më hajdeni këtu më për çështjen e njohjes së Kosovës. Nuk du fare ta dëgjoj atë fjalë”, tha Hasani.
Hasani theksoi se këto gjëra është dashur me i ditur me kohë dhe mbi bazën e tyre të ndërtohet politika e jashtme dhe e brendshme dhe raportin tënd në dialog.
“Sepse përfunduam si përfunduam. Kjo është arsyeja kryesore bazike që e ka shkaktuar këtë situatë në të cilën ne jemi tani”, tha ai.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese më tutje shtoi se ligjërisht, Asociacioni është bashkësi e komunave.
“Në letra më shumë po dominon bashkësia, se sa Asociacioni. Sepse qartë po bëhet fjalë për autorizime publike. Këto autorizime, që pritet ti ushtroi Bashkësia e Komunave Serbe, gjykuar sipas letrave që janë prodhuar deri me sot, flitet për substituim ose ushtrim të prerogativave shtetërore që i takojnë pushtetit qendror në regjione të populluara me shumcë serbe, pra të gjitha funksionet që kryen shteti. Çështja e FSK-së nuk është çështje, pasi që edhe Kosova nuk është terësisht sovrane, por përfshihet vetëm siguria dhe për të pasur ndikim të fuqishëm në çështjet e sigurisë, si gjyqësori edhe prokuroria në mënyrë graduale. Statusi nuk e përmend kund Kosovën, as Kushtetutën. Prandaj këto janë aspekte, ose segmente ose shqetësime të cilat duhet të adresohen”, tha Hasani.