• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Hasani rrëfen detaje të padëgjura: Me Thaçin, Veselin e Selimin e kishim vetëm një qëllim- Çlirimin e Kosovës

05/19/2023 20:58
nga:G C

Ish i burgosuri politik dhe njëherit edhe një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani, ka rrëfyer për Blic Interview rolin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës.

Hasani ka përmendur edhe krerët e UÇK-së në Hagë, ku për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin thotë se u bashkuan për të punuar në çlirimin e Kosovës.

“Unë njihem mjaft mirë me të tre, Hashimin, Kadriun dhe Rexhen. Para rënies në burg, nga vitet e 90-ta njihemi mjaft mirë me të gjithë. Ne kemi punuar bashkë në këtë drejtim, kemi punuar në çlirimin e vendit në forma të ndryshme, ka qenë forma legale dhe ilegale. Ka qenë protestat rreth arsimit, për hapjen e shkollave, kur na larguan nga shkollat dhe shkuam në shtëpitë tona. Të gjitha këto i kemi përgatitur, kemi qenë pjesë e lëvizjeve demokratike nëpër qytete, gjithnjë duke e llogaritur se ne do të jepim kontributin tonë sepse ishite një transparencë mjaft e madhe, kërkesë mjaft e madhe nag Bashkësia Ndërkombëtare ku thoshin se kjo çështje do të zgjidhej në formën më të mirë të mundshme dhe ne e shfrytëzum këtë mundësi”, thotë Hasani.

“Organizimi jonë ka qenë i mirëfillitë, ka qenë transparent nuk ka qenë i dhunshëm dhe nuk kemi pas arsye të jemi të tillë deri në vitin 94, kur kemi dalë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.

Hasani ka përmendur edhe Xhavit Hazirin për të cilin thotë se ishte shtylla kryesore e Lëvizjes Popullore, pra, të gjitha përgjegjësitë ishin në krahun e tij, deri në momentin kur ra në burg.

“Bashkë me Xhavit Hazirin, njërin nga kryesorët e Lëvizjes Popullore ku pa të kjo lëvizje do të çalonte shumë. Ai ka qenë udhëheqësi kryesor i lëvizjes dhe bartësi i përgjegjësive deri në momentin kur ra në burg, më 3 gusht 1993. Nga ajo kohë, roli kaloi tek unë. Gjitha përgjegjësitë e Lëvizjes popullore ranë mbi mua”, thotë Hasani.

Hasani thotë se ky rol erdhi në supet e tij, kur u burgos Haziri teksa jep detaje edhe rreth komunikatës së parë që kishte dalë publikisht.

“Ne ishim të përgatitur si pjesë e krahut të Lëvizjes Popullore për krijimin e njësiteve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës. Në nëntor të vitit 1994 ne kemi dalë me komunikatën e parë që ne marrim përgjegjësinë për të gjitha veprimet tjera si UÇK, sepse Kosova e ka një forcë të veten, një forcë të vullnetarëve e çlirimtarëve që e mbron, lufton për lirinë e këtij vendi”, tha Hasani.

“Unë isha si koordinator i përgjithshëm i gjithë organizimit ushtarak në ilegalitet. Ai rol i imi ka qenë mes shtabit qëndror dhe shtabit operativ në Kosovë, ato kanë qenë njësit tona, organizimit e luftës tonë për liri dhe çlirim”, shtoi Hasani për Blic Interview me Astrit Gashin.