Daut Haradinaj ka mbrojtur Adem Hoxhën, duke thënë se ai ka bërë një zgjedhje të drejtë duke u larguar nga ata që kanë qenë pjesë e skenës politike deri tani.
Haradinaj në Blic Interview ka theksuar se nuk është duke u arsyetuar për veprimet e Hoxhës, pasi historiku i tij është i njohur nga institucionet e Kosovës, dhe ai është krenar për grupin që kanë ndërtuar.
Haradinaj ka zbuluar gjithashtu se Hoxha ka pasur një takim me kryeministrin, i cili i ka ofruar pozita të larta në ekzekutiv.
Ai ka hedhur poshtë akuza që AAK ka kërkuar bashkimin me Hoxhën, duke theksuar se ishte Hoxha që ka kërkuar t’i bashkohet grupit të AAK-së.
“Nuk po mundohem me iu arsyetuar, më së miri e dinë institucionet tona historikun e tij. Ai ka bërë mirë që nuk është pjesë e atyre që kanë qenë deri tash. Unë ndihem shumë krenar me grupin që e kemi dhe nuk më frikëson asnjë element i kësaj teme. Por, një ditë më herët, Hoxha ka qenë në zyrën e kryeministrit, ku ky i fundit i ka ofruar pozita të larta në ekzekutiv. Domethënë, për të gjithë këta moralista që mendojnë se ne kemi shkuar tek ai, jo, ai ka ardhur tek ne”, tha Haradinaj.
“Ne nuk iu kemi nënshtruar askujt, por e falënderoj shumë që iu ka bashkuar grupit tonë. Ai ka qenë i përgjegjshëm në procedurat e votimit, në secilën prej atyre temave serioze që janë kërkuar në Kosovë. Ka edhe shumë gjëra për të cilat nuk mund të flas në publik. Institucionet e sigurisë, të inteligjencës mund ta bëjnë”, tha Haradinaj në Blic Interview.