• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Gëzim Sveçla nga VV-ja: Përparim Rama dështoi në këto 15 muaj, ‘suksesi’ i tij dhe PDK-së, janë kapjet e Ndërmarrjeve Publike

03/12/2023 21:08
nga:N M

Gëzim Sveçla është shef i deputetëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga VV-ja, e i cili nuk ka asnjë hamendësim, se këto 15 muaj janë periudhë e humbur nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe administrata e tij, raporton Gazeta Blic. 

Në gishta, Gëzim Sveçla i ka numëruar premtimet e Ramës, e që sipas tij nuk duken askund.

Ky zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar kryetarin e Prishtinës edhe për mungesën e investime tjera kapitale, në sektorë të ndryshëm, duke përmendur se vetëm 27 për qind e buxhetit ishte shpenzuar nga komuna e Prishtinës gjatë vitit 2022.

Sveçla thotë se kur është pyetur Përparim Rama për këtë, disa herë kishte thënë se ishte buxhet i miratuar e hartuar nga qeveria e kaluar, që drejtohej nga Shpend Ahmeti.

Por Sveçla thotë se kështu nuk ndodhi në komunat e tjera të Kosovës, ku shumica e kryetarëve të komunave kishin shpenzuar buxhetin deri në 90 për qind të rasteve.

Shefi i këshilltarëve komunal të VV në komunën e Prishtinës, ka përmendur këtu edhe ndërmarrjet publike që janë në komunën e Prishtinës, e që sipas tij janë ndarë se kush, cili subjekt duhet të menaxhoj me to, e fjalën e ka për dy partitë që janë në bashkëqeverisje në Prishtinë, LDK e PDK.

“Kjo është shumë e dhimbshme dhe sidomos e papranueshme kur z. Rama publikisht ka deklaruar se ka kaluar koha e personave politik në ndërmarrjet publike, kemi ndërmarrje komunale siç e thatë edhe ju edhe nga PDK edhe nga LDK për shkak se ndërmarrjet janë të ndara, një prej një, ndërmjet LDK dhe PDK. Aty ku udhëheq PDK-ja, LDK nuk merr fare erë dhe anasjelltas. Kemi Termokosin, ku kryeshef ekzekutiv është një ish asamblist i kësaj legjislature të LDK-së, pastaj kemi ndërmarrjen Prishtina Parking, një ish këshilltar ish kryeministrit Isa Mustafës, pastaj kemi ndërmarrjen Sport Marketing, një kandidat për asamble i LDK i cili është zgjedhur kryeshef ekzekutiv, në anë tjetër kemi NPB ku një eksponent i afërt i PDK-së është zgjedhur kryeshef ekzekutiv, kemi punësime të vazhdueshme të militantëve partiak dhe familjarë të të dyja subjekteve politike, e çka është më e keqja kemi tri ndërmarrje të cilat po hetohen nga policia dhe prokuroria e Kosovës. Ndërmarrja Pastrimi e cila udhëhiqet nga PDK-ja, ndërmarrja stacioni i autobusëve dhe Prishtina Parking, do të thotë 3 ndërmarrje që po heton nga policia për shkak të parregullsive në keq menaxhim”, thotë Sveçla.