Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka shpjeguar në disa dimensione problematikën e rritjes së pagave, që thotë se bie ndesh me ligjin
“Besoj që është një problematikë e cila duhet të analizohet në disa dimensione, në aspektin politik, ekonomik, social por mbi të gjitha në aspektin juridik. Në aspektin politik, vet fakti që një rritje e tillë po ndodh në kohën kur kemi hyrë në kampanjë zgjedhore i jep ngjyrë dhe konotacion politik që në vete devalvon rëndësinë e një vendimi të tillë. Në aspektin ekonomik jemi të vonuar sepse inflacioni dhe ngritja e çmimeve e ka bërë të veten dhe ka pasur nevojë shumë më herët të arrihet një vendim i tillë për rritje të pagave. Në aspektin social nuk mjafton sepse rritja e çmimeve e ka rënduar apo goditur më së shumti shtresën e ulët. Dhe, në aspektin juridik apo ligjor besoj që një vendim i tillë për një rritje në dy etapa, pjesa e parë 55 euro dhe pjesa e dytë 55 euro të tjera është një vendim që bie ndesh me ligjin e pagave dhe do të hapë mundësi për komente dhe ndonjë opinion juridiko-kushtetues që është krijuar një traditë në Kosovë. Në përgjithësi nuk besoj që Kosova e meriton sot të jetë një ndër vendet me pagën më të ulët në Ballkanin Perëndimor, nuk e meriton që varfëria të rritet dhe vet fakti që në Kosovë jetohet me 1.85 cent është mjerimi që e ka katandisur Kosovën”, thotë ai.
Sipas tij, vendimi vështirë se do të jetë i realizueshëm dhe se pas zgjedhjeve do të krijohet momentum i ri politik.
“Besoj që momenti politik dhe vet fakti që janë zgjedhjet e vë në pozitë të vështirë opozitën për të marrë ndonjë vendim ose për Gjykatë Kushtetuese sepse atëherë kjo do të shfrytëzohet nga pozita që të promovohet si diçka që kinse opozita është kundër rritjes së pagave por mund të ndodhë që pjesa e parë të jetë e realizuar, buxheti votohet dhe në fund të fundit janë vetëm tabela që ripozicionohet aspekti i numrave por duhet të kuptohet që pas zgjedhjeve do të jetë një momentum i ri dhe unë mendoj që pjesa e parë do të zbatohet, nuk është e mjaftueshme bazuar në çmimet, bazuar në inflacionin”, vlerëson eksperti i ekonomisë.
Madje, Gërxhaliu e sheh shumë të vonuar këtë premtim për rritje të pagave nga Qeveria
“Nga dimensioni kohor është një vendim shumë shumë i vonuar sepse qytetarët e Kosovës kanë pasur nevojë shumë më herët ta shijojnë dorën e shtetit, në qoftë se jo përmes aspektit financiar, ka mundur të përdor mekanizma të tjerë”, thekson ai për Gazeta Blic.
Gërxhaliu premtimin e sheh si pjesë të fushatës nga Kurti.
Sipas tij, ky do të ndikojë edhe në vota nga qytetarët që preken nga ky premtim, për partinë që e ka bërë atë.
“Unë besoj që Qeveria aktuale po e përdor këtë komponentën sociale në mënyrë perfide jo përmes premtimit për rritje të pagës por edhe ndihmave të ndryshme sociale. Nuk shërohet varfëria apo nuk zgjidhen problemet ekonomike me ndihma sociale. Kosovës i duhet një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, bartës i tij është sektori privat dhe ai sektor privat duhet të jetë vërtet i mbështetur nga pushteti dhe jo të analizohet vetëm për ta gjykuar apo dënuar dhe në këtë drejtim besoj që ky vendim do të ketë konotacion politik, do të ndikojë në masë të madhe te skamnorët sepse definitivisht është një situatë ku pjesa dërmuese ndoshta janë të varur nga pensione, sadopak kjo ndikon në aspektin emocional të qytetarëve duke menduar se është bërë një punë e madhe që është premtuar rritja e pagave dhe do të ketë ndikim që qytetarët ta votojnë atë parti që e ka bërë atë premtim”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/