• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Flasin nga AKR-ja: Koalicionet dhe lëshimet janë të domosdoshme, zgjedhjet mund të jenë zgjidhja e vetme

07/05/2025 22:06
nga:G C

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe rëndësinë e krijimit të koalicioneve të qëndrueshme për të zgjidhur ngërçin aktual, duke theksuar se çdo koalicion që arrin të krijojë shumicën dhe të krijojë një unitet të qëndrueshëm është një hap i nevojshëm për të përballuar sfidat që ka vendi.

Makolli për Expose ka theksuar se koalicionet e tilla duhet të bazohen në përafrimin e programeve dhe bashkëpunimin e sinqertë midis subjekteve politike. Ai e konsideron të rëndësishëm faktorin ndërkombëtar dhe thekson se çdo koalicion që arrin të rrisë rejtingun e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të largojë sanksionet është i nevojshëm dhe duhet të mbështetet.

“Po të arrihet një koalicion që i përafron programet dhe punon për të përmirësuar situatën ndërkombëtare të Kosovës, ky koalicion duhet të mbështetet. Nëse ata mund të ndihmojnë për të finalizuar shtetësinë e Kosovës dhe për të na pranuar në Kombet e Bashkuara, është shumë e rëndësishme që të gjithë ta përkrahim këtë proces,” tha Makolli.

Ai gjithashtu theksoi se për të arritur një koalicion të suksesshëm, është e nevojshme që partitë të bëjnë lëshime, dhe kjo përgjegjësi duhet të bie mbi fituesin, që ka shumicën e deputetëve. Sipas tij, nuk është faji i atyre që kanë numra të vogël, por e përgjegjësia i takon partisë më të madhe që duhet të bëjë lëshime për të arritur konsensus.

“Fajtor nuk është ai që ka 8 ose 9 deputetë, por ai që bllokon procesin, dhe ky është lideri i partisë më të madhe. Nuk mund të pranohet që një deputet i vjetër, që është personalitet i rëndësishëm, të mos respektojë Kushtetutën,” shtoi Makolli.

Makolli ka përmendur gjithashtu se liderët duhet të mblidhen për të sqaruar situatën dhe se një zgjidhje mund të arrihet në një takim të tillë.

Ai përfundoi duke thënë se në rast se nuk arrihet një zgjidhje, shkuarja në zgjedhje mund të jetë një mundësi më e mirë se mbajtja e ngërçit aktual.

Intervista e plotë: