• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kushtrim Mushica: Messi është më i miri i të gjitha kohërave, nuk e di si do të duket futbolli kur ai të mos luajë më

07/03/2026 22:02
nga:Mergim Rreci

Lionel Messi po vazhdon të dëshmojë edhe një herë pse konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.

Me paraqitjet e tij në Kupën e Botës, ylli argjentinas ka qenë sërish vendimtar për Argjentinën, duke udhëhequr skuadrën me cilësinë, përvojën dhe ndikimin e tij në fushë. Edhe pse në fund të karrierës, Messi vazhdon të jetë lojtari që bën diferencën në momentet më të rëndësishme.

Për formën e jashtëzakonshme të kapitenit argjentinas foli edhe ish-portieri i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica, i cili ishte i ftuar në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin.

Sipas Mushicës, mënyra se si Argjentina e menaxhon Messin në fushë është një nga arsyet pse ai vazhdon të jetë kaq vendimtar.

“Nga Leo Messi pritet që në çdo ndeshje të bëjë mrekulli. Argjentina e ka krijuar një strategji në mënyrë që Messi të mos shpenzojë shumë energji, por të jetë kontribuues kur e ka topin. Ai ruhet fizikisht në faza të caktuara të lojës, ndërsa në momentet vendimtare merr përgjegjësinë dhe bën diferencën“, u shpreh Mushica.

Ish-portieri kosovar nuk kurseu elozhet për tetë herë fituesin e “Topit të Artë”, duke e cilësuar atë si futbollistin më të madh që ka njohur ndonjëherë ky sport.

“Messi është më i miri i të gjitha kohërave. E ka qetësinë dhe gjakftohtësinë, është gjithmonë i gatshëm ta ndëshkojë kundërshtarin në çdo aspekt. Ka një inteligjencë të jashtëzakonshme në lojë dhe e bën gjithçka të duket e thjeshtë“, deklaroi ai.

Në fund, Mushica tha se tifozët e futbollit duhet ta vlerësojnë faktin që kanë pasur mundësinë ta ndjekin nga afër karrierën e Messit, duke pranuar se largimi i tij nga futbolli do të lërë një boshllëk të madh.

“Kemi pasur shumë fat që kemi jetuar në epokën e tij dhe nuk e di se si do të më duket futbolli kur nuk do të luajë më Leo Messi”, përfundoi Mushica.

/GazetaBlic/