• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Fati më i madh i jetës, të luftoja përkrah Haradinajve/ Ridvan Tahiri shpërthen në lot për Agron Haradinajn: E kisha si prind

05/29/2026 22:15
nga:G B

Historitë që shumë të rinj mendojnë se janë histori filmash Ridvan Tahiri uron që të mos përjetohen më kurrë në Kosovë. Ai thotë se dëshmorët i kujton me krenari e dashuri por dhe mërzi.

“Nuk i harrojmë kurrë asnjë por mirë është t’i kujtosh në vetvete, mirë është t’ua kujtosh edhe të tjerëve nëse duan të dëgjojnë, sepse shumë qytetarë të lindur pas luftës mendojnë se këto storiet tona janë filma. Dhashtë Zoti që Kosova kurrë të mos e përjetojë një luftë siç e kam përjetuar unë dhe që kjo rini të mos e përjetojë rininë time. Fillimisht dua ta cek se tani i kemi ata muajt e rëndësishëm që i kujtojmë dëshmorët, me krenari e dashuri të gjithë ata që e dhanë jetën për këtë vend që ne e gëzojmë sot këtë liri. Kemi pasur humbje në çdo cep të Kosovës, kemi humb djemtë e vajzat më të mira të këtij kombi. Kemi pasur nëna të maltretuara e të dhunuara, fëmijë që tash do të ishin në moshën tënde që e kanë humbur jetën si dëshmorë. Nuk është e lehtë, i kujtojmë me dashuri e krenari por edhe me mërzi”, ka rrëfyer ai për dokumentarin Expose.

Dëshirën për ta mbrojtur atdheun e kishte mësuar nëpër oda burrash dhe në mendje kishte fjalinë se duhet të vdes për Kosovën. Por, më vonë e mësoi se duhet ta bëjë armikun të vdes për Kosovë, pasi Kosovës i duhej i gjallë.

“Para plumbit dhe para Zotit të gjithë jemi të njëjtë, plumbi dhe Zoti nuk zgjedh. Të gjithë e kemi pasur vdekjen mbi kokë. Kemi qenë të vetëdijshëm që sot mund të jemi bashkë dhe të nesërmen dikush nga grupi mund të mungojë. Kam shokë që sot nuk i kanë gjymtyrët e trupit por kur e kujtoj atë shokun që s’e kemi fare, është një gjysmë dhimbje pasi ky me mungesë gjymtyrësh të paktën jeton në mesin tonë dhe i kujtojmë dhimbjen e sakrificën. Kurrë s’kam menduar se do ta shijoj lirinë, s’kam hyrë për ta shijuar lirinë, çdo ditë kam menduar kur do të vie radha ime, cili do të jemi në radhë për t’u vrarë. Unë kur e kam takuar komandantin shqiptar, gjeneral Babushi i kemi thënë, më pyeti çka po bën këtu dhe unë me krenari i thashë kam ardhur për të vdekur për Kosovën. Atëherë ai s’ka lënë gjë pa më thënë, vetëm sa s’më ka rrahur, me bërtima. “Mos e thuaj më këtë fjalë kurrë, mos ta dëgjoj unë as tjetri, bëje armikun të vdes për Kosovën, ti Kosovës i duhesh i gjallë”, më tha. E kjo ka qenë njëfarë motivimi që është mirë të ruhesh dhe ta bësh armikun të vdes në vend tëndin por para plumbit e Zotit jemi të gjithë njëjtë, ata nuk zgjedhin. Jam me gjysmë fat që jam i gjallë në mesin e juaj por e vërteta është se shokët na mungojnë shumë”, ka vazhduar rrëfimin.

Fillimisht në zonën e Llaushës e më pas në zonën e Dukagjinit, Ridvan Tahiri e quan fatin më të madh të jetës që ka luftuar përkrah Nasim, Agron e Daut Haradinajt. E, kur flet për Agron Haradinajn, lotët e tradhtojnë, pasi atë thotë se e ka pasur më shumë se prind, me humbjen e të cilit nuk mund të pajtohet.

“Fillimisht kemi qenë në Llaushë ku ka qenë grupi i maskave deri disa muaj pasi u vra baci Adem. Pastaj jam detyruar ta lëshoj zonën e Drenicës për arsye të sëmundjes së vëllait tim që është dashur ta dërgoj për shërim dhe e kam rrezikuar jetën time dhe të tij për ta dërguar në Mal të Zi, pastaj në Gjermani. Pastaj pas 3-4 muaj jam kthyer në zonën e Dukagjinit ku kam pasur fatin më të madh të jetës sime që kam takuar njerëz si gjeneral Nasim Haradinaj, Agron Haradinaj që e kam pasur epror por mbi të gjithë e kam pasur më shumë se vëlla, më shumë se prind, ku mungesa e tij vërehet tek unë çdo ditë, por Agroni mua më mungon më së shumti, e kam pasur si prind, Agronin e kam humbur që 3 vite por s’pajtohem kurrë…Tash i kemi këta muajt ku na mungojnë shumë bashkëluftëtarët. Shkojmë i vizitojmë nëpër varreza, sa herë i shoh varret e tyre mendoj se unë kam mundur të jem aty dhe ata kanë mundur të jenë duke më nderuar mua, kështu që mjerë ata për vete që nuk ia dinë vlerën kësaj lirie”, ka thënë ai.

Tahiri i cili ka qenë pjesë e operacionit Shigjeta, kujton kur mori vesh lajmin se Kosova po çlirohej. Lajmi kishte qenë përzierje mes gëzimit e hidhërimit për humbjen e shokëve në luftë.

“Kam qenë bashkë me heroin e kombit Agron Haradinaj në operacionin Shigjeta, i koordinuar mirë me SHBA-të dhe shtabin e UÇK-së, Agron Haradinaj ka qenë koordinatori kryesor i NATO-s dhe UÇK-së. Kjo ka qenë beteja më e rrezikshme që ka përjetuar Serbia në betejat e Kosovës dhe që ka detyruar Serbinë ta nënshkruajë marrëveshjen për paqe. Në atë zonë në atë operacion kam qenë kur është marrë vesh që Serbia po pranon të ulet dhe ta nënshkruajë marrëveshjen për paqe e t’i tërheqë trupat. Ka qenë ai gëzimi se gjakderdhja po përfundon por ishte dhe hidhërimi që kishte shokë që na ishin vrarë gjysmë ore apo një ditë më parë. Ishte përzierje e gëzimit dhe hidhërimit. Gëzimi më i madh ka qenë për popullatën civile, sepse ka vuajtur shumë, ata e meritojnë lirinë më shumë se na”, ka deklaruar Tahiri./Gazeta Blic/