• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

E mbijetuara e dhunës seksuale: E kam raportuar rastin në Prokurori, s’kam asnjë informacion për ecurinë e hetimit

07/09/2021 21:37
nga:Y I

Shyhrete Tahiri-Syla është njëra nga 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Tahiri-Syla ka folur për dokumentarin “Expose” pas dënimit që mori ish-polici serb Zoran Vukotiq për dhunimin seksual të një gruaje tjetër.

Ajo tha se pas këtij dënimi e ndjen veten më të qetë shpirtërisht.

“E vërtetë është se shpirtnisht, e ndjej vetën shumë me të qetë kur e di që një kriminel sot është përballë me një krim çnjerëzor që është në qeli. 10 vite nuk janë shumë, por do të luftojmë që ai ta marrë dënimin e merituar dhe të vazhdojmë të punojmë ma shumë që ti sjellim kriminelet në drejtësi”

Shyrete Tahiri-Sylejmani, dy vite më parë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi, për atë cfarë i kishte ndodhur.

Si rezultat i numrit të kufizuar të prokurorëve që trajtojnë lëndet për rastet e dhunimit seksual, ka bërë që ajo ende të mos e ketë asnjë informacion nga Prokuroria lidhur me ecurinë e rastit të saj.

“E vërtetë që para dy viteve e kam quar rastin në Prokurori, por ende nuk ka ndonjë lajm, është në procedurë por edhe siç e dijmë edhe 20 vite janë shumë, por presim dhe shumë shpresoj se do të fitojë rasti”

E për këtë shkak asaj tani kanë filluar t’i zbehet kujtesa për personin që ka kryer aktin kriminal ndaj saj dhe pohon se do ta ketë të vështirë identifikimin e tij në momentin kur do të dalë para drejtësisë.

“Nuk muj me thënë shumë, arsyeja se 20 vite janë shumë dhe njerëzit ndërrojnë dhe do të jetë shumë e vështirë për njojen e kriminelit”

22 vite pas përfundimit të luftës kjo e mbijetuar e dhunës seksuale flet për sfidat jo të vogla me të cilën përballen viktimat e këtij krimi derisa për një moment, ajo jep kurajo për të mos rreshtur së kërkuari drejtësinë.

“Unë flasë për veti por kam të drejtë të flasë për të gjthë motrat, vëllezërit dhe bijat, sepse jeton në errësir dhe mundohesh ta gjesh një dritë, është vështirë dhe nëse nuk e përjeton nuk mundesh me kuptu”

“Unë i therras të gjitha motrat ta kenë guximin se nëse nuk guxojnë tash të dalin, na po jesim viktima, e kështu për ndryshe jemi fitimtare dhe jemi nana, motra dhe vëllezër, jemi të fortë në syrin e kriminelëve që ne nuk pushojmë deri në drejtësi” tha ajo për dokumentarin “Expose” raporton Gazeta Blic.