• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“E lash aty ku e meriton” – Agron Mehmeti tregon momentin e përballjes me Slobodan Miloseviçin në Hagë

04/03/2026 21:15
nga:Sh R

I mbijetuari i Reçakut, Agron Mehmeti, në dokumentarin ‘Expose’, prodhim i GazetaBlic, ka folur për momentin kur u përball drejtpërdrejt me ish-presidentin jugosllav Slobodan Miloseviç në Tribunalin e Hagës, raporton GazetaBlic.

Nga një i mbijetuar, Mehmeti u bë dëshmitar i së vërtetës përpara botës. Ai rrëfen se si më pas u ftua nga Tribunali i Hagës për të dhënë dëshmi mbi atë që kishte parë dhe përjetuar.

“Pas masakrës së Reçakut por edhe para masakrës misioni i OSBE ka ardh këtu në fshatin tonë dhe kanë qenë të interesuar për gjendjen humanitare me ditë më shumë këtu, kemi pas kontakte edhe me ta. Edhe mbrëmjen e 15 janarit, Elhamiu i plagost, Zyhrije Beqiri, Fetie Beqiri, Hasan Bilalli të gjithë këta, unë me disa të tjerë ia kemi dorëzu misionit të OSBE në atë kohë dhe i kanë dërgu për shërim, dhe pastaj ata i kanë pas kontaktet dhe e kanë ditë se kush ka mbijetu atë ditë këtu. Deri më 23 mars të vitit 99 kemi pas edhe gazetarë të ndryshëm por edhe hetues të misionit të OSBE që i kanë pas emrat se kush ka mbijetu këtu. Pas luftës jam kontaktu personalisht nga Tribunali i Hagës, dhe prej hetuesve ku ata kanë marrë dëshmitë tona dhe e kanë pa se sa herë kemi dhënë intervistë gjithonë kanë qenë fjalët e njejta se përjetimi ka qenë i tillë, i njejtë. Dhe ka vendos edhe prokuroria e Tribunalit të Hagës të na ftoj atje në maj – qershor të vitit 2002, për të dëshmuar dhunën, terrorin dhe gjenocidin e masakrat që ka bërë Serbia në Kosovë konkretisht në fshatin Reçak”, tha ai.

Të qëndrosh përballë Sllobodan Millosheviqit nuk ishte thjesht një moment gjyqi ishte një përballje me kujtimet më të rënda të jetës së tij.

Ai e përshkruan këtë moment si të rëndë dhe të vështirë, sepse përballë kishte njeriun që e konsideron përgjegjës për krimet dhe masakrat në Kosovë, masakra të cilat I kishte parë me sytë e tij.

Agroni, me dëshmitë e tij të gjalla dhe pa frikë, sfidoi atë, duke i treguar botës se të vërtetat nuk mund të fshehen, pavarësisht përpjekjeve për manipulim dhe mohime.

“Nuk ka qenë e lehtë sepse me Sllobodan Milloshevicin me u përballë kanë pas telashe dhe sfida edhe liderët tjerë botëror sepse ai ka qenë i tillë. Një person ose lider shtetëror i cili jep urdhëra për masakra të tilla, ka qenë shumë sfiduese për mua të takohem përballë me të. Sa herë shikoja Milloshevicin në njërën anë, anën tjetër shikoja dhe me dilnin përpara të gjithë njerëzit të vrarë dhe të masakruar në Reçak. Në maj të vitit 2002 kemi udhëtuar për në Tribunalin e Hagës, por sfida ajo kryesorja ka qenë se kur jemi ballafaqu me Sllobodan Milloshevicin kemi thënë se nuk kemi kohë mjaftueshëm më i dhënë të gjitha argumentet, por gjykata na i dha kohën e duhur dhe ne atje shkuam të përgatitur, shkuam me dëshmi të gjalla, me fotografi dhe faktografi dhe me të gjitha ato e sfiduam Sllobodan Milloshevicin.

Sepse ai që e ka bërë krimin në Reçak dhe që ka dhënë urdhër me u bë ky krim, ai ishte në gjendje edhe të trilloj, dhe dëshironte ta mbulonte krimin edhe para Tribunalit të Hagës, gjoja se këta kanë qenë ushtarë të veshur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithë këta që janë të vrarë këtu kanë qenë civil të pa armatosur, po të ishin të armatosur këta, nuk kish mujt me i masakru Serbia. Dhe dëshmin e tij për gjoja këta kanë qenë të armatosur e kanë hedhur poshtë edhe patalogët finlandezë të cilët e kanë kryer autopsinë këtu në Prishtinë dhe ata e kanë dhënë verdiktin dhe fjalën e fundit se të gjithë të masakruarit në Reçak kanë qenë civil të paarmatosur të vrarë mizerisht dhe të masakruar nga forca policore ushtarake serbe”, tha ai.

Në fund të dëshmisë, Mehmeti i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë Millosheviqit.

Kërkoi leje dhe i drejtoi një fjali të drejtpërdrejtë: Se vendi i tij ishte burgu ku ndodhej dhe se aty duhej të qëndronte, një e vërtetë që e goditi fuqishëm atë, duke ia përplasur në fytyrë realitetin e hidhur që e kishte shkaktuar në Reçak.

“Paraprakisht ne dëshmitarët shkonim në sallë të gjykimit, në ndërkohë nga hyrja tjetër e kanë sjellë të akuzuarin, kriminelin e Ballkanit Sllobodan Milloshevicin. Dhe unë si i ri që isha atëherë bëra me dorë që ky ulet atje, ai menjëherë para se me fillu incizimet dhe xhirimet drejtëpërdrejtë ai ka fillu me sharje dhe ofendime si e ka pas ai zakon. Sytë e tij qitshin gjakë, dhe unë mendojsha që ky ish lider, ish kryetar i Jugosllavisë po përballet me një djalë të thjeshtë të një fshati por dëshmit e mia ishin më të forta sesa krejt përgatitjet e ti atje dhe ajo e sfidonte atë dhe e qitë cdo herë nga kontrolli.Deri në mometin e fundit, kërkova me ia thënë një fjalë të fundit dhe kërkova leje nga gjykata dhe doja ti përshendesja në emër të fshatit Reçak trupin gjykues atje për punë që po e bën dhe krejt në fund i thash që unë këta për Sllobodan Millosheviqin po e lë në këtë vend këtu ku e ka meritu. Fjala ishte për burgun, po e lë këtu ku e ka meritu atë vend ai që moti”, përfundoi ai.