Gazetari i ekonomisë, Lavdim Hamidi, hedh alarmin për situatën e rëndë në Kosovë, ku çmimet e artikujve bazë kanë kaluar 50% shtrenjtimin dhe ky trend do të vazhdojë për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike për amvisëri dhe pritjes së rritjes edhe për bizneset e mëdha dhe korporatat.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic thekson se kjo rritje do të reflektohet edhe tek çmimet e konsumatorit.
“Po çmimet e artikujve elementar tashmë kanë kaluar 50% shtrenjtimin, dhe ky trend i rritjes së çmimeve do të vazhdojë, për shkak se tashmë është shtrenjtuar energjia elektrike për amvisëri, dhe nga ky muaj pritet të shtrenjtohet edhe për bizneset e mëdha, korporatat, të cilat pa dyshim një shtrenjtim kaq i madh do të reflektohet edhe tek çmimet e konsumatorit,” tha Hamiti.
Ai shtoi se pagat dhe pensionet nuk janë rritur që nga viti 2020 apo 2021, ndërsa shumica e qytetarëve janë detyruar të hyjnë në kredi bankare për të përballuar shpenzimet.
“Në anën tjetër, pagat dhe pensionet kanë mbetur të njëjtat që kanë qenë në vitin 2020 apo në vitin 2021. Shumica e qytetarëve, në mungesë të pagave për t’i mbuluar shpenzimet, janë detyruar të hyjnë në kredi bankare për t’i përballuar shpenzimet e tyre. Edhe Banka Qendrore ka raportuar së fundi se bankat komerciale kanë rritur kreditë konsumuese, sepse qytetarët nuk po arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet bazike mujore, prandaj edhe po detyrohen të hyjnë në kredi. Kjo padyshim do ta thellojë krizën, sepse një ditë nuk do të mund të arrijnë t’i mbulojnë as kërkesat e bankave dhe efektet do të jenë zinxhirorë,” paralajmëroi ai.
Në mungesë të një qeverie funksionale, Hamiti vuri në dukje se problemet ekonomike po thellohen, ndërsa shtrenjtimi i energjisë elektrike vazhdon.
“Në mungesë të një Qeverie funksionale kemi shumë probleme në vend. Problemet ekonomike janë se nuk ka rritje të pagave dhe nuk ka as rritje të pensioneve. Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë vazhdimisht po e shtrenjton energjinë elektrike dhe ka paralajmëruar një shtrenjtim të ri nga tetori. Këto padyshim po reflektohen edhe në tregun kosovar. Mekanizma të tjerë shtetërorë që duhet të merren me këtë çështje, si Inspektorati i Tregut dhe Autoriteti i Konkurrencës, janë si të heshtura dhe kjo po u jep hapësirë tregtarëve që të manipulojnë me çmimet, duke i rritur në mënyrë të pakontrolluar, dhe kjo do t’i dëmtojë më së shumti shtresat sociale,” tha Hamiti, duke kujtuar se Kosova ka mbi 10% varfëri dhe papunësi.
Ai përfundoi me thirrje urgjente për rritje pagash dhe pensionesh.
“Padyshim që duhet të dalin institucionet përkatëse në treg, të shikojnë nëse ka keqpërdorime nga tregtarët, dhe së dyti duhet urgjentisht të rriten pagat dhe pensionet. Mos të harrojmë se në Kosovë janë rreth 150 mijë pensionistë që marrin vetëm 120 euro në muaj. Me këtë shtrenjtim, çfarë mund të bëhet me 120 euro në muaj? Nëse vendet e tjera të rajonit, p.sh. Mali i Zi, e ka pensionin sa paga mesatare në Kosovë, është urgjente që të merret veprim për dyfishim të pensioneve në mënyrë që të zbutet kjo krizë ekonomike dhe sociale,” tha ai./GazetaBlic/
Intervista e plotë: