• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Driton Selmanaj: Qasja e Albin Kurtit në dialog, është pothuajse gabim!

05/05/2023 20:38
nga:Y I

Ish- zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, i ftuar në ‘Blic Interview me Astrit Gashin’ ka folur në lidhje me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Selmanaj tha se takimi i mbajtur në Bruksel nuk mund të shkëputet nga Marrëveshja e Ohrit.

Ai tha se Marrëveshja e Ohrit është e dëmshme sidomos në pikën 7 dhe 10.

“Dita e Brukselit nuk mund të shkëputet prej marrëveshjes së Ohrit. Fatkeqësisht marrëveshja e Ohrit ka ardhur si rezultat i situatës së rëndë në Veri të Kosovës dhe ajo situatë është kriju si rezultat i sjelljeve të njëanshme dhe pakoordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nga një situatë ku shihnim mundësi për me i dhan epilog problemit Kosovë-Serbi, e kthyem vendin në një situatë për menaxhim krizash. Këtë e konfirmoi edhe zoti Lajçak në një emision televiziv ku tha se nuk mund të flitet për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë sepse atje mund të vriten njerëzit, atje ka barrikada, atje ka probleme të përditshme. Prandaj si rezultat i tillë kjo Qeveri na solli në situatën ku kishte situatë të menaxhimit të krizave. Si rezultat i menaxhimit të krizave doli marrëveshja e Ohrit e cila për vlerësimin tonë është e dëmshme sidomos në dy pikat e saj, në pikën 7 dhe pikën 10”, deklaroi Selmanaj.

Selmanaj tha se qasja e Kurtit në dialog pothuajse është gabim.

“Më pas doli takimi i radhës në Bruksel. Pikënisja si e mbrapshtë për shkak të marrëveshjes së Ohrit ne mendojmë se nuk mund të ketë rezultatate pozitive. Ajo çfarë ndodhi në kuptim të Asociacionit ishte e pritshme. Aq më keq ne kishim deklarata publike të kryeministrit i cili thoshte se nuk e di se çfarë Drafti do t’i prezantojnë, dikun tjetër ishte përgatit ajo dhe kryeministri i vendit tonë shkon atje për t’u ballafaquar për herë të parë me një dokument që do të duhej më pas të inkorporohej në jetën tonë dhe organizimin tonë politik. Kjo është e papranueshme si qasje por këtë formë e ka zgjedh ky kryeministër dhe ne po vlerësojmë se qasja në dialog, në tërësinë e vet pothuajse është gabim nga ana e zotit Kurti” deklaroi Selmanaj në një intervistë dhënë për ‘Blic Interview’, raporton Gazeta Blic.