• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Deliu: Në seancën për zgjedhjen e Presidentit kishte tentativa të qarta për puç institucional në Republikën e Kosovës!

05/01/2026 21:38
nga:Y I

E ftuara e radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është ish-zv/shefja e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe ish-deputetja e këtij subjekti politik, Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra foli në lidhje me dështimin e deputetëve për të zgjedhur Presidentin dhe gjithçka ndodhi ditën dhe mbrëmjen e 28 prillit në Kuvendin e Kosovës.

Ajo theksoi se seanca e 28 prillit ishte seancë për t’i paraprirë zgjedhjeve të reja pasi, sipas saj, fjalimet ishin tërësisht politike.

Deputetja Deliu tha se në atë seancë u shkel rregullorja e punës së Kuvendit, Kushtetuta e Kosovës dhe se kishte tentativa të qarta për puç institucional në Republikën e Kosovës.

“Ishte një situatë e krizave të cilat e kanë përshkuar Kosovën dy vitet e fundit veçmas por edhe gjatë këtij mandati qeverisës të qeverisjes së Albin Kurtit. Për mua një seancë e thirrur e para në orën 08:26 për të filluar në orën 08:30 të mbrëmjes, seancë e jashtëzakonshme për t’u zgjedhur Presidenti i vendit, pa një marrëveshje politike, me një arbitraritet të pashoq të cilin e bëri partia fituese dhe natyrisht një precedent i rrezikshëm për shkeljen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës me mënyrën se si filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit/es pa e patur koorumin e nevojshëm. Absolutisht ishte seancë për t’i paraprirë zgjedhjeve të reja sepse fjalimet ishin tërësisht politike, u shkel rregullorja e punës së Kuvendit, u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Kurti me arbitraritet vendosi që atë tempull të demokracisë që është Kuvendi i Republikës së Kosovës t’a shëndërrojë në një devijim prej rendit demokratik, kushtetues dhe kishte tentativa të qarta për puç institucional në Republikën e Kosovës. Vetë mesazhi të cilën e nxorrën mediat, mesazhi i një deputeti që doli në publik e shpërfaqi mënyrën se si në mënyrë të kundër-ligjshme ata provonin që të zgjedhnin një President, duke shkelur rregullat, Kushtetutën e vendit dhe duke rrezikuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës. Sa për Kushtetutën, gjatë mandatit të fundit, ajo është shkelur 16 herë prej kësaj qeverie. Por që të kemi devijime të tilla, që të provohet që edhe Presidenti i vendit të zgjedhet duke rënë ndesh me aktet kushtetuese, kjo ishte skandaloze. Natyrisht me reagimin e madh qytetar të cilin e pamë atë ditë, me reagimin e madh të mediave që nxorrën dhe shpërfaqën atë që po ndodh në Kuvend por mbi të gjitha edhe partnerët tanë të cilët ngritën zërin për rrezikun që po i kanosej Kosovës” tha Deliu.

Deliu-Kodra foli edhe në lidhje me tentativën e LVV-së për të zgjedhur Presidentin pa patur koorumin e nevojshëm në sallë.

“Gjatë gjithë kohës kemi qenë në Kuvend dhe për ne ka qenë e paprecedentë, në momentin që fillon seanca për zgjedhjen e Presidentit duhet të konstatohet koorumi i nevojshëm dhe unë jam e bindur që këtë edhe nëse nuk e ka konstatuar zonja Haxhiu….Sekretari, U.d së Sekretarit të Kuvendit ja ka thënë zonjës Haxhiu. Ndonëse ata e kanë ditur mirëfilli që Kushtetuta e thotë që së pari duhet të konstatohet koorumi i nevojshëm i deputetëve. Ne gjatë gjthë kohës kemi qenë në zyrat e Kuvendit, disa deputetë në zyrat e partisë për të qenë afër mediave dhe për të pa nëse vërtet ajo që po ndodhte ishte realitet që ne po e shihnim para syve tanë. Unë kam mendu se zoti Kurti bën veprime të tilla sepse e kemi pa edhe në të kaluarën por të shkojë deri në atë pikë sa të rrezikojë me një seancë të thirrur siç tha deputeti të votojmë diçka ‘karate’ e pastaj të shkojmë të ankohemi në Kushtetuese vetëm pse ‘nuk u binte taman’… e para ishte skandaloze dhe e dyta ishte e rrezikshme për demokracinë dhe nëse kjo do të ndodhte natyrisht kjo do të ishte precedentë për Prokurorinë e Shtetit që të reagonte që mos të shkelej Kushtetuta duke zgjedhur një President me 61 vota siç u provua” tha Deliu-Kodra në Blic Interview raporton “Gazeta Blic”.

Video: