• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Deklarata e Liburnit shumë e rrezikshme/ Limaj: S’ka zgjedhje tani, në zgjedhjet e ardhshme duam koalicion jo vetëm me parti

12/08/2023 21:53
nga:G B

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, në BlicInterview, ka komentuar deklaratën e ministrit Liburn Aliu, se Kosova është shtet i përkohshëm.

Ai këtë e ka quajtur të rrezikshme, derisa ka thënë se për shkak të kësaj qasje na vijnë drafte e marrëveshje të tilla.

“Kjo është e rrezikshme. Fatkeqësisht Liburni e ka thënë atë që çdo ditë janë duke jetuar ashtu në Kosovë, janë duke e përjetuar shumë njerëz kështu, edhe të tjerët po na përjetojnë kështu, me ato marrëveshje që folëm. Nuk i bëhet një shteti kështu siç po i bëhet Kosovës, nuk janë rastësi këto që po na vijnë sepse sjellja jonë ndaj vendit tonë është e tillë, prandaj na vijnë drafte, marrëveshje të tilla. Për mua është e rrezikshme kjo qasje. Shumë e rrezikshme”, thotë Limaj.

Ai ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje tani, derisa ka thënë se me këtë opozitë s’mund të ketë zgjidhje të problemeve, pasi ajo s’ka as qëndrim të qartë për asgjë.

“Zgjedhjet bëhen me shpresën që të ndërrohen akterët. Me akterë të njëjtë nuk ka zgjidhje. Pse çka bëjnë të tjerët kur s’kanë mendim të qartë, ku me shku në zgjedhje. Për ashtu më mirë të qëndrojmë me kryeministrin aktual që e ka edhe shumicën. Nuk ka kuptim të shkohet në zgjedhje kur nuk ka qëndrime të diferencuara. A po e dini që po dëmtohet shtetësia e këtij vendi? Si po prisni që të gabojë kryeministri i vendit e po ta dëmton vendin? Cilin vend do që ta udhëheqësh nesër?” është shprehur Limaj.

Sa i përket zgjedhjeve, nëse jo të parakohshme, ai ka folur për dëshirën për koalicion në zgjedhjet e ardhshme.

Limaj është për një koalicion jo vetëm me parti politike por edhe me qytetarë që kanë të njëjtin qëndrim.

“Dëshira jonë është për një koalicion. Nevoja është për një koalicion. Nevojë është për bashkim të të gjitha forcave që kanë një koncept të qartë rreth këtyre temave që folëm, më shumë se kurrë Kosova sot ka nevojë e një mase kritike, një mase që nuk është hipokrite, e jo oportuniste, një bashkim që di të ballafaqohet me argumente e që krijon distancën e dallimin mes atyre që e drejtojnë. Nisma në këtë drejtim është e interesuar që të ketë një koalicion sa më të gjerë dhe ky koalicion nuk përkufizohet me një parti politike por një koalicion qytetar, të gjithë të pakënaqurit, të gjithë që besojnë në këtë koncept, të dinjitetshëm, që ka qëndrime të qarta, që për secilin problem e ka mendimin e vet. Unë besoj në atë front. Do të vijë. Qytetarët janë shumë të pakënaqur, janë të dëshpëruar, janë të papërfaqësuar. Unë besoj në rritje të kësaj mase kritike dhe ne jemi të hapur për një koalicion një front të tillë, që nuk përkufizohet vetëm në parti politike”, shton ai.

Sipas tij, nuk duhet të flesh dhe të presësh që të të vijë pushteti.

Limaj ka kritikuar opozitën se për çdo vendim politik fshihet pas Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo nuk krijon marrëveshje e Asociacion por atë e bën politika dhe për këtë ka përgjegjësi.

“Në politikë ka beteja politike, të flesh e të presësh që të të vijë pushteti , qysh? Çka është kjo unë jam i kulturuar në gjuhën e komunikimit e të bashkëbisedimit? Askush s’po të thotë me sha, me e gjuajt Parlamentin tënd, por qytetari pret qëndrim të qartë ballë për ballë, të luftosh për kauzën tënde, të ndërtosh tema e kauza. Në Kosovë ndodhin qindra tema, ka heshtje përballë krejt çka po ndodh, ia lënë përgjegjësinë Gjykatës Kushtetuese, fshihen pas 9 vitesh, askush nuk e prek temën kryesore. Ne vlerësohemi për vendime politike, për marrëveshje politike të mirë apo të keqe, e jo gabimin t’ia lë gjykatës Kushtetuese që të na e zgjidh neve politikën. Këtu ka humbur udha në oborr. Presin që Gjykata Kushtetuese të vendos. Ajo është marrëveshje politike. S’ka marrëveshje që nuk është kushtetuese, është politike dhe akomodohet në Kushtetutë, në ligje, kjo marrëveshje për të cilën po flasim s’ka qare pa u fut në legjislacion të Kosovës por qëllimi është a është e mirë apo e keqe dhe për atë ju merrni duartrokitje apo jepni përgjegjësi politike. Sot të gjithë e kanë ulur kokën, të gjithë presin çka do të thotë Gjykata. Ajo nuk bën marrëveshje, ajo nuk krijon Asociacion, nuk krijon statute, politika krijon Asociacione, politika bën statute dhe këtë përgjegjësi e ka politika”, deklaron Fatmir Limaj./Gazeta Blic/