• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Çitaku: Për keqardhje që Kurti i ka sjellë raportet me SHBA-të në këtë pikë, e ardhmja euro-atlantike e Kosovës po rrezikohet!

06/30/2023 20:45
nga:Y I

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ftuar në ‘Blic Interview me Astrit Gashin’ ka folur në lidhje me raportet e kryeministrit Kurti me SHBA-të, në këto momente.

Çitaku tha se është për keqardhje që kryeministri e ka sjellë raportin me aleatin kryesor të Kosovës në këtë pikë.

Ajo tha se në historinë tre-dekadëshe të Kosovës asnjëherë raportet SHBA-Kosovë nuk kanë qenë në këtë pikë.

“E vërteta sipas këndvështrimit tim qëndron diku në mes. SHBA-të janë jashtëzakonisht të investuara në Kosovë dhe në vendin tonë në këto tri dekada përtej ndihmës financiare, përtej mbështetjes së fuqishme politike, diplomatike e ushtarake, SHBA-të kanë vendosur në tavolinë edhe kredibilitetin e tyre si shtet. Kur i kanë prirë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, në tavolinë përtej fluturakeve amerikane ka qenë kredibiliteti i SHBA-ve. Kur kanë lobuar për njohjet, përtej fuqisë diplomatike amerikane, në tavolinë kanë qenë garancat e SHBA-ve. Për SHBA-në, Kosova është një projekt i rëndësishëm, i vlefshëm dhe i suksesshëm. Eshtë për keqardhje që kryeministri i Kosovës e ka sjellë raportin me aleatin tonë kryesor në këtë pikë. Edhe në të kaluarën kemi patur momente të mospajtimeve, raporti ynë ka patur momente të rënieve, mirëpo asnjëherë në historinë tre-dekadëshe, raportet mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk kanë qenë në këtë pikë. SHBA-të nuk po kërkojnë nga ne të pamundurën, ata nuk kanë bërë tërë këtë investim në Kosovë as për t’ia cënuar sovranitetin dhe as për t’ia dobësuar subjektivitetin ndërkombëtar. Ata kanë patur një kërkesë të thjeshtë që katër kryetarët e zgjedhur, funksionin e tyre përkohësisht  ta ushtrojnë nga objektet alternative . Çfarë ka bërë kryeministri ? Kryeministri i Kosovës e ka reduktuar sovranitetin e Kosovës në tre zyra. Për mua demostrim shumë i fuqishëm i sovranitetit do të ishte pjesmarrje e ushtarëve të Kosovës në ushtrimin më të madh dhe më të rëndësishëm ushtarak në Evropë Defender 2023” tha Çitaku në Blic Interview raporton Gazeta Blic.

Ajo tutje theksoi se Kosova duhet të çlirohet nga ideja që politikën e jashtme ta orientojë varësisht nga relacioni jonë me Beogradin.

“Kjo është në vazhdën e përpjekjeve të SHBA-ve për të nxjerrë Kosovën nga ‘gracka’ dhe nga ‘humnera’ ku po e sjell kryeministri Kurti me qasjen e tij avantureske. Ne përfundimisht duhet të çlirohemi nga ideja që politikën tonë të jashtme ta orientojmë varësisht nga relacioni ynë me Beogradin. SHBA-të e dinë shumë mirë se kush është Serbia, e kanë bombarduar para 20 e ca vitesh. SHBA-të dhe BE-ja e dinë shumë mirë kush është Vuçiqi, ku janë bandat kriminale, ata e dinë saktë se kush është kush. Ne duhet t’u tregojmë se kush jemi ne, për çfarë qëndrojmë ne pavarësisht nga ajo se çfarë bën Beogradi”

“Unë nuk po e kuptoj se për çfarë lloj sovraniteti po flet kryeministri, a është sot Kosova më sovrane në veri se para dy vitesh? Kryeministri duhet ta ketë të qartë se aleancat janë po aq në mos edhe më të rëndësishme se sovraniteti. Nëse asgjë tjetër, ndërhyrja e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë e ka dëshmuar këtë. E kemi parë se kryeministri dëshiron ta imitojë Zelenskyn por le ta pyesë atë se sa janë aleancat e rëndësishme, me çfarë po mbrohet Zelensky., me retorikë boshe apo me makineri ushtarake që po vjen nga vendet aleate . Pra Kosova duhet të jetë shumë më e pjekur dhe më e përgjegjshme”

Çitaku tha se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës po vihet në rrezik për një grusht vota.

“Me keqardhje e them se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës po vihet në rrezik për një grusht vota. Nuk ka me iu desht pushteti askujt, as Albin Kurtit, as PDK-së nesër e askujt në Kosovë nëse e rrënojnë aspiratën euroatlantike të Kosovës” deklaroi Çitaku raporton Gazeta Blic.