• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Çitaku: Kryetarët e PDK-së në komunat e veriut janë mashtruar nga Elbert Krasniqi, s’është sovranitet ngujimi në zyre

06/30/2023 21:00
nga:G C

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në Blic Interview me Astrit Gashin ka folur për procesin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, ku tha se pavarësisht pjesëmarrjes apo jo të Listës Serbe, partia e saj ka qenë e gatshme të merr pjesë.

“Partia Demokratike e Kosovës vazhdimisht sa herë janë organizuar zgjedhjet lokale në pjesën e komunave veriore, ne kemi marrë pjesë sepse kemi dashur të jemi pranë qytetarëve tanë që jetojnë në kushte shumë të vështira në atë pjesë”, tha Çitaku.

“Kur është bërë ftesa nga KQZ-ja për t’u çertifikuar kandidatët, ka ardhë një kërkesë që afati të shtyhet edhe për katër ditë në mënyrë që aplikojnë edhe subjektet politike serbe. Ne kur kemi hyrë në garë, ne nuk e kemi ditur se a do të marrë pjesë Lista Serbe në ato zgjedhje, pra pavarësisht pjesëmarrjes së tyre ne kemi kandiduar më herët”, shtoi ajo.

Çitaku ka kritikuar Ministrin e Pushteti Lokal, Elbert Krasniqin duke thënë se kryetarët e PDK-së në komunat e veriut janë mashtruar nga ai.

“Kryetarët tanë e kanë dhënë betimin në zyret alternative dhe jo në objektet komunale, ditën e dytë janë ftuar në takim nga Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi për të marrë pjesë në një takim të përbashkët që u është thënë se do të mbahet në zyren e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, në një formë kryetarët tanë janë mashtruar dhe janë futur në objektet komunale”, tha Çitaku.

Sipas Çitakut nuk është demonstrim i sovranitetit ngujim në zyre dhe as demonstrim i shtetësisë.

“Nuk është demonstrim i sovranitetit ngujimi në zyre, nuk është demonstrim i shtetësisë ngujimi në zyre. Ne kemi dëgjuar këshillat e aleatëve tanë dhe ata e kanë mirëpritur qëndrimin e kryetarëve tanë të zgjedhur, që funksionin e tyre ta ushtrojnë në zyret alternative”, tha Çitaku për Blic Inteview.